0.6 C
Geneva
Tuesday, January 20, 2026

“Heshtja i mbron dhunuesit”, rrëfimi rrëqethës i Vasfije Krasniqit: Pse u ndjeva e refuzuar nga shteti im dhe çmimi i rëndë i së vërtetës

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Vasfije Krasniqi-Goodman, zëri më i fuqishëm i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka bërë një reagim të thellë publik. Ajo flet hapur për traumën, injorimin institucional, refuzimin që iu bë vajzave të saj dhe sulmet me të cilat përballet vetëm sepse guxoi të flasë. Ky është rrëfimi i saj i plotë:

Postimi i plotë:

Kur vendosa të dal publikisht, nuk e bëra sepse ishte e lehtë. E bëra sepse ishte e domosdoshme. E bëra sepse heshtja për 19 vite më kishte vrarë ngadalë.

Kam qenë vetëm 16-vjeçare kur u rrëmbeva dhe u dhunova nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Fëmijë. Pa faj. Pa mbrojtje. Lufta për mua nuk përfundoi me pushimin e armëve – ajo vazhdoi në trupin tim, në mendjen time, në çdo frymëmarrje.

Për 19 vite, dhimbjen time e ndava vetëm me familjen dhe një rreth shumë të ngushtë shoqëror. Jo sepse nuk doja të flisja, por sepse shoqëria jonë nuk ishte gati të dëgjonte. Viktimat e dhunës seksuale në luftë mësohen të heshtin. Heshtja ishte çmimi për të mbijetuar.

Dështimi i shtetit dhe heshtja vrasëse

Kur drejtësia dështoi në procesin gjyqësor, askush nga shteti apo shoqëria civile (edhe pse ishin në dijeni) nuk më thirri. Asnjë institucion nuk pyeti si isha pas humbjes së drejtësisë. Asnjë dorë nuk u zgjat. Vetëm heshtje. Edhe nga ata që sot flasin për drejtësi.

Kur vendosa të flas publikisht, nuk kërkova leje. I thashë familjes sime: “Kam vendosur të flas, jo të pyes a duhet të flas.”

Sepse heshtja nuk është neutralitet – heshtja i mbron dhunuesit. Dhe fatmirësisht, familja ime nuk ia fal Serbisë këtë krim. Të rrish i qetë përballë krimit do të thotë ta mbrosh atë.

Hapja e dyerve të mbyllura

Unë isha ajo që hapa shumë rrugë për shumë njerëz. Hapa dyer që ishin të mbyllura për dekada. Ndërtova ura mes dhimbjes dhe shoqërisë. Jo vetëm për gratë e dhunuara gjatë luftës, por edhe për gjeneratat që erdhën pas luftës.

Për 7 vite me radhë, kam folur pa u ndalur:

  • Kam folur në media vendore dhe ndërkombëtare;
  • Kam ngritur zërin në institucione, kuvende të ndryshme dhe në Kongresin Amerikan;
  • Kam qëndruar pranë viktimave që nuk kishin guxim të flasin;
  • Kam luftuar për njohje, dinjitet dhe drejtësi.

Kam bërë punën që shteti duhej ta bënte.

Refuzimi i vajzave të mia: “Kjo më theu thellë”

Kur u hap mundësia për testin për fëmijët e lindur pas luftës – test që mat sa trauma e nënës së dhunuar gjatë luftës bartet tek fëmija gjatë shtatzënisë – kërkova që edhe vajzat e mia të përfshiheshin.
Jo për privilegj. Jo për trajtim të veçantë. Por për barazi dhe drejtësi.

Kërkesa ime u refuzua. Arsyeja ishte tronditëse: sepse vajzat e mia kanë baba amerikan.

Kjo më theu thellë. Sepse unë, që hapa rrugë për të tjerët, që sakrifikova gjithçka për këtë shoqëri, u përjashtova në heshtje. U ndjeva e refuzuar. U ndjeva sikur dhimbja ime kishte vlerë vetëm kur i shërbente dikujt tjetër.

Çmimi i të dalurit publikisht

Pas daljes publike, çmimi ishte i tmerrshëm. Ankthi u kthye fuqishëm. Depresioni u thellua. Shëndeti im fizik filloi të përkeqësohej dita-ditës. Sidomos pas vitit 2018, dhe më tej kur hyra në politikë.

U përballa me ofendime, sharje dhe paragjykime në televizionin kosovar për dukjen time. U bëra objekt sulmesh publike. Një viktimë më tha:
“Unë nuk dal me folë, sepse kam familje dhe nuk dua me u bo horë.”
Kjo fjali më dhembi më shumë se çdo sulm tjetër, sepse pasqyron shoqërinë që ende fajëson viktimën.

Karakteri im është ndërtuar nga dhimbja

Edhe sot, në Kosovë, nuk po vlerësohet ajo që kam bërë. Nuk po nderohet sakrifica. Nuk po pranohet barra që kam mbajtur mbi vete. Në vend që të flitet për rrugët që hapa, për zërat që u ngritën falë meje, po tentohet të më preket karakteri, të më njollosin dhe të më zvogëlojnë.

Por le të jetë e qartë: Karakteri im nuk ndërtohet nga fjalët e atyre që më sulmojnë. Karakteri im është ndërtuar nga dhimbja që kam mbijetuar, nga sakrificat që kam bërë dhe nga rrugët që kam hapur për të tjerët.

Dhimbja ime nuk është propagandë. Zëri im nuk është spektakël. E vërteta ime nuk është për kompromis.

Unë flas sepse drejtësia nuk erdhi.
Flas sepse shteti dështoi.
Flas sepse heshtja po i mbron kriminelët edhe sot.
Flas sepse Kosova nuk shërohet duke harruar dhe duke refuzuar sakrificat e të guximshmëve.

Unë jam Vasfije Krasniqi.
Dhimbja ime është reale. Sakrificat e mia janë reale.
Dhe kjo e vërtetë nuk do të heshtë kurrë.

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img