Ish-këshilltari i Rugovës kërkon nga kandidatët për kryetar të LDK-së shpalosjen e platformave të tyre.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kërkuar nga ata që kanë shpallë kandidaturat për kryetar të LDK-së të shpalosin platformat e tyre.
Ai tha se deri të dielën anëtarësia e LDK-së, por edhe publiku i gjerë duhet të ketë rastin të dëgjojnë platformat e kandidatëve për kryetar të LDK, njofton Klan Kosova.
Hamiti tha se shpalosja e platformave nga ata është me interes jo vetëm për LDK-në, por edhe për skenën politike dhe për kulturën demokratike të Kosovës.
“Kandidatët duhet ta bindin anëtarësinë se e dinë pse LDK-ja është katandisur kaq keq, çka është bërë e s’është bërë, mirë e keq – edhe për meritën a fajin e tyre – çka duhet të bëhet për të kthyer besimin e njerëzve në drejtësinë e synimeve strategjike të LDK-së, të partisë në themelet e shtetndërtimit para e pas lufte. Më tej, si e shohin rrugën përpara për ristrukturim të LDK-së, për kohezion të saj strukturor e ideologjik. Si do të bëjë opozitën fillimisht, që do të jetë punë e vështirë, sepse çkado që të bëjë Qeveria e re do të duket mirë për një kohë në sytë e votuesve entuziastë të saj. Me çfarë platforme, me çfarë programi do të mund të bëhet parti qeverisëse sërish LDK-ja?”.
Çështjet me të cilat duhet të merren kandidatët, sipas Hamitit, janë shtyllat programore, strategjia, politikat e udhëheqjes, rikthimi i besimit në LDK.
“Anëtarë e simpatizantë të LDK-së, ish-anëtarë të saj, por edhe analistë të moçëm e rishtarë, shpërfaqin pëlqimet e mospëlqimet e veta, madje animet, që jo rrallë tingëllojnë si tifozeri për këtë apo atë pretendent apo kandidat, mbasi tashmë janë bërë publike katër kandidatura për kryetar të LDK-së, të gjithë anëtarë të Kryesisë së LDK-së aktualisht”.
“LDK-ja e Ibrahim Rugovës, lëvizja pavarësiste që ka drejtuar Presidenti historik, ka pasur trinomin “Liri, demokraci, pavarësi” në themele të programit të vet. Edhe tash e tutje, në rrethana të reja, në dekadën e tretë të shekullit tonë, LDK-ja duhet të rimëkëmbet si parti antikomuniste, formacion politik që është i lidhur me trollin, me zakonet, me traditën shqiptare dhe me historinë e Kosovës; të punojë për demokraci, kundër kulturës së pushtetit absolut; për Republikën e Kosovës, të pavarur e sovrane, të pacenuar në punë të territorit, si zgjidhje e përhershme”.