fbpx
16.2 C
Geneva
Monday, September 30, 2024

“Këta janë emrat e pesë ministrave të Qeverisë Kurti 2”

Mediumi i Baton Haxhiut tregon emrat e pesë ministrave të Qeverisë Kurti 2.

Disa nga ministrat e qeverisë Kurti 1 pritet të rikthehen sërish në pozitat e tyre.

Mes tyre, Albulena Haxhiu, Besnik Bislimi, Arben Vitia, Rozeta Hajdari dhe Xhelal Sveçla pritet të rikthehen prapë në ulëset e ministrave në qeverinë Kurti 2, posa të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Një burim brenda Lëvizje Vetëvendosje i ka thënë Albanian Post se këta emra janë diskutuar edhe brenda kësaj partie dhe pritet që të emërohen prapë ministra.

“Këta emra do të jenë prapë ministra sipas gjitha gjasave pasi Albin Kurti ka qenë i kënaqur me performancën e tyre. Këtë e ka thënë Kurti edhe gjatë fushatës, që këta ministra kanë treguar rezultate të mira sa kanë qenë në këto pozita”, tha ky burim brenda LVV-së.

Në pozitën e ministrit të Financave pritet të rikthehet Besnik Bislimi, edhe pse në zgjedhjet e fundit nuk garoi fare për deputet, por mban pozitën e nënkryetarit të partisë.

Edhe Albulena Haxhiu do të ulet prapë në karrigen e ministres së Drejtësisë, edhe pse nuk ishte në garë për deputete, pasi e kishte të ndaluar nga Gjykata Kushtetuese, meqë ishte dënuar për veprën penale: “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” në tri vitet e fundit.

Kurse ministër i Shëndetësisë, pritet riemërohet Arben Vitia, ndonëse brenda Lëvizjes Vetëvendosje ekziston edhe mendimi se Vitia duhet të lihet jashtë Qeverisë, pasi pritet të jetë kandidat për Kryetar të Prishtinës.

Ndërkohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka gjasa të mëdha të rikthehet Xhelal Sveçla, por këtë radhë si ministër.

Dikasteri i Ekonomisë, do t’i besohet prapë Rozeta Hajdarit, e cila është magjistre e shkencës për biznes dhe ekonomi.

Albanian Post ka tentuar që këtë informacion të konfirmojë duke tentuar që të bisedojë me zëdhënësin e kësaj partie Përparim Kryeziu, por ky i fundit ka qenë i paqasshëm.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt. Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.

Në fillim të këtij muaji, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se partia e tij i ka votat për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian Elbert Krasniqin, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e do të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, kishte thënë Kurti para gazetarëve në Tiranë.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img