Albanian Post: Këta janë emrat e ministrave të Qeverisë Kurti 2.
Albulena Haxhiu, Besnik Bislimi, Arben Vitia, Rozeta Hajdari dhe Xhelal Sveçla pritet të rikthen prapë në ulëset e ministrave në qeverinë “Kurti 2”, posa të votohet në Kuvendin e Kosovës.
Një burim brenda Lëvizje Vetëvendosje i ka thënë Albanian Post se këta emra janë diskutuar edhe brenda kësaj partie dhe pritet që të emërohen prapë ministra.
“Këta emra do të jenë prapë ministra sipas gjitha gjasave pasi Albin Kurti ka qenë i kënaqur me performancën e tyre. Këtë e ka thënë Kurti edhe gjatë fushatës, që këta ministra kanë treguar rezultate të mira sa kanë qenë në këto pozita”, tha ky burim brenda LVV-së.
Në pozitën e ministrit të Financave pritet të rikthehet Besnik Bislimi nga Gjilani, edhe pse në zgjedhjet e fundit nuk garoi fare për deputet, por mban pozitën e nënkryetarit të partisë.
Edhe Albulena Haxhiu do të ulet prapë në karrigen e ministres së Drejtësisë, edhe pse nuk ishte në garë për deputete, pasi e kishte të ndaluar nga Gjykata Kushtetuese, meqë ishte dënuar për veprën penale: “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” në tri vitet e fundit.
Kurse ministër i Shëndetësisë, pritet riemërohet Arben Vitia, ndonëse brenda Lëvizjes Vetëvendosje ekziston edhe mendimi se Vitia duhet të lihet jashtë Qeverisë, pasi pritet të jetë kandidat për Kryetar të Prishtinës.
Ndërkohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka gjasa të mëdha të rikthehet Xhelal Sveçla, por këtë radhë si ministër.
Dikasteri i Ekonomisë, do t’i besohet prapë Rozeta Hajdarit, e cila është magjistre e shkencës për biznes dhe ekonomi.
Albanian Post ka tentuar që këtë informacion të konfirmojë duke tentuar që të bisedojë me zëdhënësin e kësaj partie Përparim Kryeziu, por ky i fundit ka qenë i paqasshëm.