Qeveria gjermane ka publikuar të dhëna lidhur me numrin e shtetasve të huaj që jetojnë në vend dhe sa paguhen për punët që bëjnë, njofton albswiss.com.
Referuar të dhënave, rroga mesatare në Gjermani është 3 mijë e 509 euro në muaj, por që ballkanasit paguhen rreth 900 euro më pak se gjermanët.
Saktësisht, një kosovar ka pagë mujore mesatarisht 2 mijë e 522, ndërsa shtetasit nga Shqipëria 2 mijë e 428 euro në muaj.
Punëdhënësit bëjnë diferencime edhe në rang specialistësh dhe ekspertësh. Kështu për shembull, ndërsa rroga mesatare e një eksperti gjerman, në fund të vitit 2019 ishte 5 mijë e 609 euro, një ekspert ballkanas i kushton punëdhënësit gati 1,000 euro më pak në muaj.
Ekspertët që paguhen më mirë janë ata nga Serbia me 5,073 euro në muaj, pasuar nga ekspertët nga Shqipëria me 4,815 euro në muaj.
Ekspertët nga Kosova me 3,983 kanë pagat më të ulëta mujore, duke krijuar kështu një diferencë prej mesatarisht mbi 1,600 euro në krahasim me ekspertët gjermanë.
Ngjashëm është situata edhe për specialistët: 4,400 është rroga mesatare e një gjermani dhe afro 3,476 euro fiton një specialist nga Ballkani Perëndimor.
Dallimi është më i vogël në nivel ndihmësi. Por edhe këtu ka diskriminim mes një vendasi dhe një shtetasi nga Ballkani, prej mesatarisht 100 euro në muaj. Ndihmësit nga Kosova kanë pagë mesatare 2352 euro.