KMSHZ me udhëheqje të re: Fehim Abazi zgjidhet kryetar, selia zhvendoset në pjesën frankofone

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Në Kuvendin e rregullt të mbajtur në Friburg, delegatët votuan imamit nga Lozana si pasardhës të Mehas Alisë. Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) tani numëron 67 xhami anëtare.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) ka hapur një kapitull të ri në udhëheqjen e tij. Gjatë punimeve të Kuvendit të rregullt, të mbajtur këtë të diel në ambientet e xhamisë së Friburgut, Fehim Abazi është zgjedhur kryetar i ri i kësaj organizate ombrellë.

Në prani të 106 delegatëve nga e gjithë Zvicra, gara mori një kthesë pak para votimit kur kryetari i deritanishëm, Mehas Alija, njoftoi tërheqjen e tij, duke i hapur rrugë zgjedhjes së Abazit si kandidat i vetëm. Me këtë rotacion, timoni i KMSHZ-së kalon nga pjesa gjermanofolëse në atë frankofone të Zvicrës.

Bilanci i suksesshëm i Mehas Alisë

Gjatë fjalimit të tij lamtumirës, kryetari në largim, Mehas Alija, prezantoi raportin e vitit 2025, duke numëruar rreth 40 nisma të suksesshme në fushën fetare, sociale dhe institucionale.

“Kemi realizuar unifikimin e 64 xhamive shqiptare brenda KMSHZ-së, kemi rritur buxhetin dhe kemi themeluar departamente kyçe. Ky unifikim është puna më e mirë pas formimit të shkollave shqipe dhe xhamive në Zvicër,” deklaroi Alija, duke kujtuar si arritje historike bashkimin e dy bashkësive islame shqiptare në vitin 2020.

Prioritetet e kryetarit të ri

Fehim Abazi, imam në Lozanë, pasi mori besimin e delegatëve, u shpreh se mandati i tij do të fokusohet te uniteti dhe prania në terren.

“Prioritet do të jetë forcimi i unitetit dhe kontakti i drejtpërdrejtë me çdo xhami,” theksoi Abazi, duke premtuar vizita në të gjitha qendrat anëtare brenda vitit të parë të mandatit të tij.

Zgjerimi i KMSHZ-së dhe Kryesia e re

Kuvendi miratoi gjithashtu anëtarësimin e tri xhamive të reja, duke e çuar numrin total në 67 qendra shqiptare nën ombrellën e KMSHZ-së.

Gjithashtu, u zgjodh Kryesia e re prej 11 anëtarësh, e cila karakterizohet nga diversiteti:

  • Imamë dhe përfaqësues të xhamive.
  • Përfaqësimi gjinor: Për herë të parë, pjesë e kryesisë janë edhe tri gra nga sektori civil.

Punimet e Kuvendit, të cilat u udhëhoqën nga komisioni zgjedhor në krye me Ferid Zeqirin, u mbyllën në një atmosferë vëllazërore me një darkë të organizuar nga nikoqirët në Friburg dhe ndarjen e mirënjohjeve për kontribuesit e vitit.

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img