KMSHZ/DAIGS kërkon që debati për radikalizimin dhe integrimin të bazohet në fakte dhe jo në përgjithësime që krijojnë paragjykime ndaj xhamive, imamëve dhe besimtarëve shqiptarë.
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ/DAIGS) ka reaguar ndaj deklaratave në debatin publik për radikalizimin dhe integrimin, duke shprehur shqetësimin për stigmatizimin e xhamive shqiptare dhe besimtarëve të tyre.
Në një komunikatë të publikuar më 10 nëntor, komuniteti dënon çdo formë të ekstremizmit dhe riafirmon përkushtimin ndaj Kushtetutës Federale të Zvicrës, demokracisë dhe lirive individuale, duke iu referuar Deklaratës së Bernës të vitit 2017.
KMSHZ/DAIGS thekson se përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe se askush nuk duhet të gjykohet mbi bazën e përkatësisë fetare apo komunitare.
Komuniteti shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me autoritetet zvicerane dhe njofton se shqetësimet për përgjithësimet në debatin publik do t’ia përcjellë Komisionit Federal Kundër Racizmit.

Komunikata e plotë e KMSHZ/DAIGS
KMSHZ/DAIGS: Përkushtimi ynë ndaj Kushtetutës, demokracisë dhe lirive individuale në Zvicër është i palëkundur
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër kundërshton stigmatizimin kolektiv, riafirmon angazhimin ndaj vlerave demokratike dhe dënon pa asnjë rezervë çdo formë ekstremizmi dhe intolerance.
Cyrih, 10 nëntor 2026
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ/DAIGS) shpreh shqetësimin lidhur me disa qëndrime dhe diskurse publike të kohëve të fundit, të cilat, ndonëse trajtojnë çështje legjitime si ekstremizmi fetar, radikalizimi dhe integrimi, në disa raste shoqërohen me përgjithësime që rrezikojnë të stigmatizojnë bashkësitë islame shqiptare, imamët dhe besimtarët e tyre.
KMSHZ/DAIGS respekton plotësisht lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe të drejtën për të kritikuar institucionet fetare. Debati publik mbi radikalizimin, transparencën dhe përgjegjësinë institucionale është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike. Megjithatë, ai duhet të mbështetet në fakte, në përgjegjësinë individuale dhe në respektimin e dinjitetit njerëzor.
Ne nuk kërkojmë privilegje apo imunitet nga kritika. Kërkojmë që institucionet dhe besimtarët tanë të vlerësohen drejt, mbi bazën e fakteve dhe me të njëjtat standarde demokratike që vlejnë për të gjithë qytetarët.
Angazhimi ynë ndaj Kushtetutës dhe vlerave zvicerane
Bashkësitë islame shqiptare në Zvicër janë të përkushtuara ndaj Kushtetutës Federale, institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe rendit juridik zviceran.
Ne i respektojmë parimet themelore mbi të cilat ndërtohet shoqëria zvicerane: dinjitetin njerëzor, lirinë, barazinë para ligjit, demokracinë, pluralizmin dhe të drejtat themelore të individit. Në mënyrë të veçantë, mbështesim lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit, të drejtën për të praktikuar ose për të mos praktikuar një fe, si dhe mundësit e barabarta ndërmjet grave dhe burrave, si dhe respektimin e zgjedhjeve personale të secilit individ.
Për ne, besimi është çështje e bindjes së lirë personale. Ai nuk mund t’i imponohet askujt dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për të cenuar të drejtat e të tjerëve apo për të vënë në diskutim rendin kushtetues dhe juridik të vendit.
Ne besojmë se përkatësia fetare dhe përkushtimi ndaj demokracisë zvicerane nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato mund të bashkëjetojnë në harmoni dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të lirë, pluraliste dhe të përgjegjshme.
Deklarata e Bernës e vitit 2017 – dëshmi e një angazhimi historik
Përkushtimi ynë ndaj këtyre vlerave nuk është një deklarim i rastit dhe as një reagim ndaj polemikave të sotme.
Më 20 mars 2017, në Shtëpinë e Religjioneve në Bernë, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër dhe Bashkësia Islame e Shqiptarëve në Zvicër nënshkruan një deklaratë të përbashkët historike në mbështetje të demokracisë, laicitetit dhe shtetit të së drejtës.
Përmes këtij dokumenti, organizatat nënshkruese shprehën qartë pranimin e neutralitetit të shtetit ndaj bashkësive fetare, përparësinë e rendit kushtetues dhe juridik zviceran, lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit, barazinë ndërmjet grave dhe burrave, si dhe kundërshtimin e dhunës, urrejtjes dhe ekstremizmit.
Bashkimi i mëvonshëm i këtyre dy organizatave në KMSHZ/DAIGS siguroi vazhdimësinë institucionale të këtij angazhimi.
Sot, ne i ritheksojmë me bindje të plotë parimet e asaj deklarate. Ajo nuk ishte një formalitet, por shprehje e një përgjegjësie të qëndrueshme ndaj vendit ku jetojmë dhe kontribuojmë.





