Veriu i Kosovës nuk ka qenë i qetë.
Kamionët e ministrit të Qeverisë së Kosovës, Goran Rakiq, bllokuan rrugët në veri për të penguar aksionin e Policisë së Kosovës.
Kamionë të shumtë kishin bllokuar rrugën në Mitrovicë të Veriut, një javë më parë.
Kjo pas aksionit që Policia e Kosovës pati në disa qytete të Kosovës në luftim të kontrabandës, përfshirë edhe veriun.
E këta kamionë që u vendosën për të penguar Policinë e Kosovës, i takojnë kompanisë pastrimi “Standard”, ku drejtor figuron ministri në Qeverinë Kurti, Goran Rakiq.
Në ditën e ngjarjeve në veri, një përgjigje për këtë i është kërkuar Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ky i fundit u shpreh i habitur duke thënë se nuk ka informacion se ministri Rakiq ka një kompani.
T7 ka drejtuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të mësuar nëse tashmë janë kryer hetime për këtë çështje.
Megjithatë të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Sidoqoftë faqja e kompanisë pastrimi nuk e ka emrin e Rakiq si drejtor.
Por, emri i tij figuron në regjistra të ndryshëm të bizneseve në shtetin serb. Edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Serbi, figuron kompania e Rakiq si pronë e ministrit të Qeverisë Kurti.
Për këtë biznes që zotëron, ndaj Goran Rakiq kishte nisur hetime edhe Agjencia Kundër Korrupsionit në Serbi, në korrik të vitit 2020.
Kjo për shkak të dyshimit se Goran Rakiq ka shkelur ligjin duke mos raportuar pronën dhe të ardhurat e tij në këtë institucion.
Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe, asnjëherë nuk ka deklaruar këtë biznes në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Kosovë, duke i raportuar vetëm pozitat nga institucionet e Kosovës.
Së fundmi, në muajin prill të këtij viti Rakiq ka deklaruar vetëm të ardhurat që i përfitoi si ministër në Qeverinë Hoti.
T7 ka nisur pyetje edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Kosovë.
Të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Mosdeklarimin e pasurisë dhe të ardhurave, njohësit e drejtësisë e kategorizojnë si vepër penale.
Miftaraj thotë se kompania mund të hetohet shumë lehtë me një kërkesë të MPB-së.
T7 ka telefonuar edhe ministrin Rakiq, mirëpo i njëjti nuk ju është përgjigjur thirrjeve e as mesazheve të televizionit.