Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, është pritur në një takim zyrtar nga drejtorja e Zyrës së UN Women në Gjenevë, znj. Sofia Calltorp.
Takimi u zhvillua në një periudhë me simbolikë të veçantë, për shkak të 25-vjetorit të miratimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë – dokument ky ndër më të rëndësishmit në nivel global që trajton të drejtat e grave në kontekstin e konflikteve dhe ndërtimit të paqes.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht mbi mundësitë e bashkëpunimit në fusha kyçe si barazia gjinore, fuqizimi i grave, mbështetja për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftërave, si dhe drejtësia tranzicionale. U theksua rëndësia e përfshirjes së grave në procese vendimmarrëse dhe në ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
Znj. Kabashi nënvizoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e të drejtave të grave dhe promovimin e vlerave demokratike, duke vlerësuar lart rolin e UN Women si partner global në këtë drejtim.
“Përvoja e Kosovës, sfidat dhe përparimet tona në drejtësinë tranzicionale dhe fuqizimin e grave janë një bazë e mirë për bashkëpunim të ngushtë me organizata ndërkombëtare si UN Women”, u shpreh Kabashi gjatë takimit.
Ky takim vjen si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe përpjekjeve të përbashkëta për një të ardhme më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse./Alb’swiss TV/