Bashkëpunimi kulturor ndërkombëtar sjell në skenat hungareze talentin dhe traditën muzikore shqiptare
Kori i Fakultetit të Arteve të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka shënuar një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, duke realizuar dy koncerte në Hungari, në kuadër të bashkëpunimit kulturor dhe akademik me universitetet e këtij vendi.
Këto aktivitete muzikore, të zhvilluara më 17 dhe 18 nëntor, dëshmojnë përkushtimin e këtij institucioni universitar në promovimin e kulturës, artit dhe vlerave muzikore shqiptare përtej kufijve të Kosovës.
Koncerti i parë u mbajt më 17 nëntor, në sallën prestigjioze Aula Magna të Universitetit ELTE në Budapest, ku kori nga Peja interpretoi së bashku me Korin “Béla Bartók” të këtij universiteti. Performanca u drejtua nga profesorët Hysen Nimani dhe László Kovács, ndërsa në piano kori u shoqërua nga koorepetitori Gent Kumnova.
Ndërkaq, më 18 nëntor, në Sallën Ceremoniale të Urdhrit Cistercian, në qytetin e Pécsit, u zhvillua koncerti i përbashkët me titull “Choral Echoes: From Peja to Pecs”, ku kori i Universitetit “Haxhi Zeka” u prezantua së bashku me Korin e Universitetit të Pécsit.
Ky aktivitet u drejtua nga profesorët Hysen Nimani dhe Tamás Lakner dhe u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hungari, duke i dhënë këtij bashkëpunimi edhe dimensionin e rëndësishëm të diplomacisë kulturore.
Përmes një njoftimi, Ambasada e Republikës së Kosovës në Hungari ka vlerësuar lart organizimin dhe realizimin e këtyre dy aktiviteteve muzikore, duke shprehur mirënjohje për profesorët dhe të gjithë kontribuuesit që bënë të mundur këtë prezantim artistik.
Dy koncertet në Budapest dhe Pécs përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të rolit që universitetet dhe institucionet kulturore mund të luajnë në afrimin e popujve përmes gjuhës universale të muzikës.
Për Universitetin “Haxhi Zeka”, ky prezantim në Hungari është një arritje e re në rrugën e ndërkombëtarizimit të veprimtarisë akademike dhe artistike, ndërsa për kulturën shqiptare një mundësi tjetër për të dëshmuar vlerat, talentin dhe potencialin e saj në skenat evropiane.
Muzika, edhe kësaj radhe, u bë ura që bashkoi Pejën me Budapestin dhe Pécsin, duke dëshmuar se arti nuk njeh kufij dhe se bashkëpunimi kulturor është një nga mënyrat më të bukura për të ndërtuar miqësi ndërmjet popujve./BS





