fbpx
-15.2 C
Geneva
Tuesday, January 21, 2025

Kryeministri Kurti ‘qele-guri-gojen’ për aktakuzën ndaj ministrit Liburn Aliu

Qeveria e re.

“Te ky vend i dëshmorëve nuk mund të flasim për politika të ditës”. Duke u përgjigjur në këtë mënyrë kryeministri i Kosovës Albin Kurti i iki pyetjes rreth aktakuzës aktive ndaj ministrit të Infrastrukturës në qeverinë e tij, Liburn Aliu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë zëri më kritik ndaj përfshierjes së politikanëve me aktakuza në poste ekzekutive nëpër të gjitha qeveritë e Kosovës, por tani që vet ka në përbërje një të tillë – ai po hesht, shkruan lajmi.net.

Kurtit nga opozita i është kërkuar shkarkimi i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Inftastrukturës Liburn Aliu pasi i njëjti ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës kur ai mbante postin e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, gjë për të cilën Aliu ka thënë se nuk është në dijeni.

Por, Kurti ka refuzuar qoftë edhe ta komentojë këtë çështje gjatë vizitës së sotme që ai ka pasur në kompleksin memorial në Gllogjan të Deçanit.

Lajmi për aktakuzën ndaj Liburn Aliut është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme, ndërsa vet ministri Aliu ka deklaruar se nuk ka qenë i informuar se ndaj tij rëndon një akuzë e tillë.

Madje, Aliu u zotua se do të kërkonte përgjegjësi nga autoritetet me pretendimet se aktakuza ndaj tij është ngritur pa e njoftuar vet Aliun si palë.

“Pas lajmit që pashë sot në disa media në lidhje me gjoja akuzimin tim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës sa kam qenë Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ndjehem i obliguar të ndaj këtë reagim. Unë për këtë rast kam dëgjuar për herë të parë nga mediat sot. Marrë parasysh këtë, e kam të pamundur të komentoj mbi substancën e rastit, por mund të them disa fjalë mbi procesin e munguar. Me të lexuar lajmin, kam ndërmarrë hapat e duhur për të konfirmuar këtë çështje. Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi.”, shkroi dje Aliu.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi bëri të ditur se Aliu ka qenë i pajisur me aktakuzën.

Prokuroria thotë se më 17 prill të vitit 2019 ka marrë vendim për fillim të hetimit me ç’rast i ka kryet të gjitha procedurat hetimore lidhur me rastin dhe ka dëgjuar të gjithë të pandehurit. Sipas këtij njoftimi, Aliu ishte intervistuar nga Prokuroria e Shtetit më datë 5 gusht të vitit 2019 dhe në bazë të provave më 24 korrik të vitit 2020 është ngritur aktakuzë ndaj tij.

Aktakuza është ngritur për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas kësaj aktakuze të ngritur nga prokuroria, rezulton se Liburn Aliu dhe disa zyrtarë të tjerë komunalë akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban, si plan hapësinor i nivelit më të lartë, që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim. Sipas aktakuzës, të pandehurit e kanë refuzuar si të pabazë kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit për disa persona privatë.

Mandatin e kaluar, Kurti si kryeministër e kishte shkarkuar nga detyra këshilltarin e tij, Nenad Rashiq ndaj të cilit ishte ngritur aktakuzë dhe mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Kurtit karshi Aliut pasi i fundit është person i rëndësishëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img