
Nga: Tefik Salihu
Dhjetëra apo qindra të rinj po vazhdojnë ta lëshojnë Kosovën, përditë. Sipas të dhënave të fundit, të publikuara nga portali kroat, Geopolitika.news, i cili merret me analiza të krizave globale dhe ndikimin e tyre në rajon, 76 për qind e të rinjve të moshës 16 deri në 25 vjeç dhe 53 për qind e atyre të moshës ndërmjet 26 dhe 60 vjeç, dëshirojnë të largohen nga Kosova.
Në Ambasadën gjermane në Prishtinë në muajin mars për vizë janë dorëzuar mbi 48 mijë aplikacione, derisa vetëm 500 deri 800 prej tyre marrin përgjigjje pozitive. Të tjerët riaplikojnë sërish muajin pasues. Por, plot kosovarë të tjerë largohen, pa u hetuar, përmes rrugëve të tjera.
Ndryshe, sipas një ankete të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, një nga arsyet më të listuara që do t’i shtynte individët të migronin është mungesa e shpresës se gjendja ekonomike, politike dhe shoqërore do të përmirësohet. Edhe Enti i Statistikave të Kosovës, si arsye të emigrimit i radhitë: Sigurimin e një të ardhme më të mirë ekonomike; Standardin më të lartë të jetesës; Arsimimin; Arsyet politike; Zhvillimin e karrierës; Bashkimin familjar, e arsye të tjera.
A janë vërtetë arsyet e këtij “eksodi”, këta faktorë që njihen si shtytës (në kohën kur Kosova është shtet sovran me institucione funksionale demokratike), apo janë faktorët tërheqës-nxitës dhe kjo “ikje” është bërë edhe si trend (zhvillim në një drejtim të përgjithshëm), nga lakmia, duke parë njëri-tjetrin, në stilin “Rrushi sheh rrushin e piqet”?
Historiku i emigrimit në Kosovë
Lëvizja e njerëzve nga një vend në tjetrin, ka ekzistuar gjithmonë gjatë historisë së njerëzimit. Ky është një fenomen shoqëror në të cilën një grup njerëzish ndjehen të motivuar për të lëvizur në një vend të ri, në kërkim të një jete më të mirë dhe mundësive më të mëdha për zhvillim personal, familjar ose profesional, si dhe ekonomik e social.
Emigrimi jashtë Kosovës ka ndodhur nëpër faza të ndryshme. Siç shkruan në Strategjinë për Diasporën dhe Mërgatën, të Qeverisë së Kosovës, fillet e emigrimit të diasporës kosovare besohet të jenë që nga pjesa e parë e shekullit të kaluar, kur në mënyrë masive qindra-mijëra familje iu nënshtruan një fushate të egër spastrimi dhe përndjekjeje nga pushteti i Serbisë. Pjesa më e madhe e saj janë vendosur në Turqi. Që nga ajo kohë, emigrimi ka qenë karakteristikë e vazhdueshme e shoqërisë kosovare. Me përjashtim të periudhës së pasluftës në Kosovë, tendencat për emigrim, në radhë të parë, kanë qenë të nxitura nga përndjekja prej sistemit ish-jugosllav për shkaqe politike, pastaj arsyet ekonomike, etj.
“Me punë të përkohshme jashtë shtetit”
Më herët, në vitet ’70-të, ’80-të dhe deridiku edhe në ’90-at, në diskursin zyrtar, por edhe të përditshëm, njerëzve tanë që gjendeshin nëpër botë, iu referoheheshte si “persona me punë të përkohshme jashtë shtetit”. Kështu thuhej. Në fakt, kështu edhe ishte, sepse shumica prej tyre, “botën në sy” e kishin marrë me plane afatshkurtëra, sa për të mbledhur pak të holla, për t’ia bërë zgjidhjen ndonjë pune, kërkese, nevoje apo çështjeje personale ose familjare.
Kështu, të gjithë ata që ishin jashtë shtetit, konsideroheshin se një ditë do të ktheheshin në vendlindje. Por, nuk ndodhi kështu. Ata, jo që nuk erdhën, por me kalimin e kohës morën dhe familjet e tyre duke planifikuar një qëndrim më të gjatë në ato vende, ndërsa brezi i dytë një qëndrim të përhershëm.
Profili i mërgimtarit
Siç u tha më lart, në fillimet e para, drejt vendeve perëndimore, kryesisht kishin lëvizur njerëz që nuk kishin kushte të mira ekonomike dhe mëtonin të gjenin të paktën një punë atje. Ata, të shumtën, ishin punëtorë krahu, apo mjeshtër ndërtimtarie. Kjo vazhdoi edhe më tutje, deri në vitet `90-a, kur ikja nga vendlindja bëhej për shkak edhe të diskriminimit politik dhe shtypjes nga pushteti i dhunshëm i atyre viteve. Kështu, me “çantë në dorë”, mund të shihje edhe studentë, profesionistë, intelektualë e njerëz të kategorive tjera. Profili i mërgimtarit shkoi duke u ndërruar akoma, gjatë luftës së fundit 1998-1999 në Kosovë, kur gati gjysma e popullatës u largua nga frika ose me forcë nga shtëpitë e tyre. Një numër i konsiderueshëm i tyre, nga kampet në Maqedoni, ku ishin sistemuar nga organizatat humanitare-ndërkombëtare, shkuan jashtë, si refugjatë dhe nuk u kthyen më.
Por, viteve të fundit ka rënë në sy edhe largimi nga Kosova e një pjese të kuadrove dhe profesionistëve, sidomos i punëtorëve shëndetësor: Mjekëve dhe infermierëve.
Vetëm, në tre muajt e parë të vitit 2022, sistemin shëndetësor të Kosovës e kanë lënë 62 mjekë, e shumë më shumë janë duke pritur për të “ikur”. Kjo i bie, që, vendin, një punëtor shëndetësor, po e lëshon çdo të dytën ditë.
Përkufizimi i pjesëtarit të diasporës
Përkufizimi i pjesëtarit të diasporës paraqet një sfidë teorike, duke marrë parasysh vështirësitë në përcaktimin e këtij komuniteti. Por, me Ligjin e Diasporës dhe Mërgatës është bërë një përpjekje për definimin e këtij nocioni, duke paraqitur një përkufizim mjaft të përgjithshëm, në të cilin “pjesëtar i diasporës dhe i mërgatës konsiderohet çdo person që ka vendbanim ose vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës dhe që ka lindur ose ka prejardhje familjare nga Kosova”.
Edhe çështja e emërtimit, që nuk është kushedi sa me peshë, është përfolur në media e opinion. A është më mirë që njerëzit tanë jashtë vendit t’i quajmë “kurbetqarë”, “mërgimtarë”, emigrantë apo diasporë (siç përdoret më shpesh).
Fjala “kurbet”, i bie “dheu i huaj”. “Mërgimi” (Emigrimi) është largimin në një vend tjetër për qëllime të banimit, punësimit, shkollimit apo çështje tjera. Kurse fjala “diasporë”, vjen nga një fjalë greke e lashtë që do të thotë “të shpërndahesh”, ose lëvizja apo shpërndarja e një populli larg atdheut stërgjyshor.
Nëse bëjmë një ndërlidhje të kuptimit të këtyre fjalëve, mund të fomojmë një përkufizim më të zgjeruar që i bie “Ikje nga vendi dhe shpërndarje në dhe të huaj”.
Gjermania-më e preferuara
As sot, pas kaq vitesh, vullneti apo nevoja (si të duash thuaj), për të migruar në ndonjë vend perëndimor, jo që nuk janë zbehur, por duket se janë shtuar akoma më shumë. Planet dhe bisedat për të “ikur”, mund t’i dëgjosh, pothuajse çdo ditë dhe gjithkund.
Sociologët vënë në dukje një tendencë shqetësuese, duke përmendur situatën ekonomike dhe dëshirën për një arsim më të mirë si arsyet kryesore të largimit nga vendi.
Destinacioni më i preferuar aktualisht mbetet Gjermania, me numrin më të madh të kërkesave për vizë. Ambasadat e vendeve të tjera në Prishtinë pranojnë shumë më pak aplikime.
Ndonëse Kosova ka Ligjin për Diasporën dhe strategji e dokumente tjera, pëmes së cilave mëton të joshë diasporën për të investuar, a për t`u kthyer këtu, nëse ky ritëm i largimit vazhdon, radhët para ambasadave, duke pritur vizën, do t’i shohim edhe më.
P.S. Si për ironi, autori i këtij shkrimi, ka jetuar vet një kohë jashtë dhe është kthyer në Kosovë, të cilën shumica dëshirojnë ta lënë.





