Gjykata Supreme ka marrë vendim që të përsëritet votimi në komunën e Dragashit vetëm nga jashtë Kosovës.
Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme urdhërohet KQZ-ja që të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale për kryetar të Komunës së Dragashit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numri I votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është 1 mijë e 90 vota.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021. Numri i votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është: 1,090.”, ka thënë Elezi.
Kujtojmë që ankesa e kandidatit të LDK-së Bexhet Xheladini është pranuar pjesërisht, teksa është refuzuar pjesa tjetër e ankesës ku kandidati i LDK-së ka kërkuar që votat e mëparshme me postë të përfshihen në rezultatin final.