0.2 C
Geneva
Tuesday, January 20, 2026

Magjia e poezisë

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Poezia –  Ky pushtim i çuditshëm i forcave, i pushteteve, gufim në një thellësi shpirti rrënjosur në brendësinë e vet, apo një dhunti e rrallë për të kombinuar fjalë, imazhe, tinguj, e trajta? Çelës i hieroglifëve të natyrës… Rebelimi i njeriut kundër të qenit çfarë është…apo jetë e distiluar…

Avni Azizi

Nuk është aq e lehtë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve për të definuar poezinë. Dhe derisa, nuk besojmë se bëhet fjalë vetëm për një dhunti… Atëherë, cilat vërtet janë ato sekrete të fshehura në thellësitë e panjohura të saj?

Kam frikë se kjo temë e bukur do të tingëllojë me një hije trishtimi… Ngase sot, dashamirës të poezisë nuk janë edhe aq njerëz të shumtë… por, poezia – tingëllon si diçka me një shtirje të madhe, dhe madje me një madhështi të pa kufizuar. Sidoqoftë, në botën moderne, bukuria  dhe madhështia e kësaj forme të artit ende mbetet jo vetëm një jehonë e së kaluarës, por motivim dhe strukturë e tërë kulturës njerëzore.

Po prej nga vjen atëherë poezia. Si u shfaq ajo? Çka thanë krijuesit dhe studiuesit për të, cili është roli dhe pozicioni i saj në shoqërinë e sotshme… Për të gjitha këto në vazhdim – le të bëjmë një udhëtim të vogël nëpër kohë, në origjinën e shoqërisë njerëzore, në atë periudhë të largët kur ndoshta nuk kishte fare shoqëri… Por krijim ritmik me bukurinë e fjalës dhe kurorë letërsie e cila lind nga dashuria për të jetuar në vargje.

Si dhe kur u shfaq poezia?

Konsiderohet se poezia është lloji më i vjetër i krijimtarisë letrare. Çuditërisht, edhe në kohën e Platonit (katërqind vjet para lindjes së Krishtit) – edukimi dhe trajnimi njerëzor përbëhej nga: gjimnastika, muzika, poezia dhe matematika.

Duhet thënë se poezitë e para u shfaqën nëpër shpella. Ndonëse ato nuk ishin poezi por, një transferim i thjeshtë i informacionit, megjithëse në rimë. Poezia fillon të shfaqet vetëm me shfaqjen e fesë, kur njerëzimi e mori atë në kokën e tij për të komunikuar me perënditë… Kjo do të thotë, me shfaqjen e idealit dhe zhvillimin e të menduarit abstrakt.  Arti (dhe, në veçanti, letërsia), së bashku me fenë, filozofinë, shkencën, është një formë e njohjes së botës. Instrumenti i kësaj njohurie në poezi, sipas filozofit spanjoll Jose Ortega Gasset, është metafora.

Poezia është e lidhur pazgjidhshmërisht me muzikën. Ajo lindi në mesin e të gjithë popujve fillimisht, si shkrime këngësh. Poezitë këndoheshin, shpesh të shoqëruara me instrumente muzikore. Poeti është gjithmonë i pajisur me një vesh natyror, një ndjenjë harmonie dhe ritmi. Muzika e vargut transferon lehtësisht lexuesin në gjendjen shpirtërore të autorit. Volteri e quajti poezinë – muzikë të shpirtit.

Shembuj të hershëm të krijimtarisë poetike kemi “Epin e Gilgameshit (1700 p.e.s.), pjesë të Biblës dhe veprat e Homerit. Poezia është forma tradicionale e artit të shkruar në të cilin gjuha njerëzore përdoret për ato cilësi estetike në të, ose në vend të përmbajtjes së saj.

Ndërsa Aristoteli thoshte“Historiani dhe poeti nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri në të folur – të rimuar apo jo të rimuar; ata dallohen nga ajo që thotë njëri për atë që ka ndodhur, dhe tjetri për atë që mund të ndodh. Prandaj, poezia është më filozofike dhe më serioze se historia: sepse ajo tregon të përgjithshmen, ndërsa historia është vetëm një dhe e vetme”.

Çka është poezia

Poezia është gjini letrare, ku porosia e poetit zakonisht shprehet me vargje. Ajo duke ndërthurur figura stilistike siç janë rima, metafora, krahasimi, hiperbola, etj. është shfaqja më mahnitëse e shpirtit njerëzor apo është një shpirt që mund të thuhet se është i veshur me fjalë.

Ndërsa kur jemi tek fjala ajo nuk është vetëm një mënyrë e shkëmbimit të informacionit, por edhe stimuli më i fuqishëm, një mjet për të ndikuar në shpirtin e njeriut. Dhe asgjë më e komplikuar, më interesante dhe misterioze sesa shpirti njerëzor deri më sot ende nuk është shpikur.

Po të shfletojmë fjalorin drejtshkrimor kuptimin e fjalës poezi, do ta gjejmë se ajo është emër i gjinisë femërore që bënë pjesë në gjininë e letërsisë artistike, në të cilën mendimet shprehen në vargje… Ndërsa në kuptimin e figurshëm ajo mund të quhet edhe ndjenjë e ngrohtë, lirizëm; diçka e bukur,  diçka fisnike që të frymëzon… Fjala poezi vjen nga greqishtja e vjetër “poesis” që do të thotë: bëj, krijoj, thur. Ata që e shkruajnë poezinë janë poetët. Secili nga poetët i përket kohës dhe shekullit kur jeton, por disa jetojnë më gjatë se shekujt…

Poezia është një zhanër i letërsisë, një gjini letrare, mbështetur në kryeveprat poetike me imazhe ideale, të arritura me një ndërthurje harmonike të formës origjinale dhe përmbajtjes me ngjyrosjen e ndjeshmërisë shpirtërore. Ky pra është zëri i poezisë… E zëri i saj është tjetër nga zëri i zakonshëm sepse është zëri i dëshirave dhe vizioneve.

Poezia është kujtesa që bëhet imazh dhe imazhi që shndërrohet në zë. Zëri tjetër nuk është zëri që del nga varri: është zëri i njeriut që fle në thellësi të çdo njeriu. Është zëri i një tej bote dhe zëri i asaj bote, është sa i lashtë është aq edhe i sotshëm… Poezia nuk është vetëm një organizim i veçantë i fjalës; duke sjellë në të një ritëm, madhësi, krijimtari artistike verbale – është lloji më i lartë i artit. Është një realitet që na është dhënë në imagjinatën tonë.

Dhe poezia është vetëm një dëshmi e jetës, e nëse jeta juaj është djegur mirë, poezia është vetëm hiri i saj… thoshte dikur poeti dhe kompozitori kanadian – Leonard Cohen

Po pra, poezia është një botë e krijuar për zhvillimin shpirtëror të shoqërisë, është thesari i më i çmuar i gjuhës letrare, e cila lejon, përmes traditës, të ruajë individualitetin e një kombi dhe të një populli në mënyrën më të plotë dhe më të gjithanshme.

Shkenca në procesin e analizës i ndan fenomenet në pjesë, dhe më pas i studion ato. Poezia, duke bashkuar fenomene të ndryshme, sintetizon njohuritë e reja, duke i transmetuar ato në një formë metaforike. Metaforat janë lidhje të thella, të rregullta, të vërejtura nga poeti, duke lidhur të gjitha gjërat. Puna kryesore e poetit është të studiojë natyrën, njeriun, sekretet e punës me fjalën muzikore.

Poema përmban metafora: qenie – lëvizje, ngecje – sëmundje, rrethi i qarkullimit të gjakut krahasohet me një unazë. Përmbajtja e një metafore, thelbi i saj, tema kryesore e poezisë është pa mëdyshje bukuria. Pra siç pamë koncepti “poezi” është shumë i gjerë. Poezia, me një vështrim, rrok pafundësinë e oqeaneve, kozmosin, ndjesitë e panjohura që ndodhin në thellësitë e shpirtit njerëzor.

Krijuesi i poezisë poeti e merr energjinë e tij nga toka, dielli, yjet, era, mirësia dhe fatkeqësia e njerëzve rreth tij. Dhe ashtu si një fanari që ngarkohet nga rrjeti elektrik, ashtu edhe forca dhe shëndeti i tij varen drejtpërdrejt nga mirëqenia dhe harmonia e universit.

Poezia është gjithmonë një befasi, një zbulim që sjell qetësimin, paqen, gëzimin, unitetin. Imagjinata poetike endet dhe mishëron gjërat, u jep atyre kuptimin e tyre më të pastër dhe përcakton ndërlidhjet, deri më tani të panjohura, por gjithnjë e gjithmonë, duke përdorur fakte të realitetit më të qartë dhe preciz.

Kur shpirti këndon, ka një lehtësi në trup, ju doni të ngjiteni në qiell – tek zogjtë – dhe të bërtisni për dashurinë për botën, për jetën … Prandaj, mund të themi se poezia është kënaqësia e shpirtit. Por kur zemra juaj thyhet nga dhimbja, kur ju ndaloni të ndjeni botën përreth jush, kur është aq e trishtuar saqë doni të ulërini dhe nuk doni ta shihni, nuk doni të dëgjoni askënd … atëherë, gjithashtu, në shpirtin tuaj, gjithçka dëgjohet derisa lind poezia e ndritshme e cila sikur të thërret të fillosh të jetosh përsëri. Dhe mund të themi se poezia është dhimbja e shpirtit.

Dhe nëse kombinoni? Kënaqësia e shpirtit dhe dhimbja e shpirtit janë ndjenja. Por ndjenjat janë të forta, të thella, konsumuese, vrasëse dhe kthyese në jetë … Shprehja e këtyre ndjenjave me fjalë, në muzikën e gjuhës, në mendimin njerëzor është poezi!

Poezia e mirëfilltë është një disiplinë e fuqishme moralizuese dhe fisnike. Përmes saj shpalosen epokat historike, prandaj nuk thuhet kot se atë që e harron historia e thotë poezia. Tek ajo hasim edhe begatinë mahnitëse të gjuhës. “Zëri i saj është zëri i dëshirave dhe vizioneve. Është zëri i një bote tjetër dhe zëri i asaj bote, është i lashtë por, dhe i sotshëm dhe aktual… Është i nëndheshëm…” thotë Oktavio Paz.

Poezia gjithmonë është perceptuar si diçka sublime dhe e bukur. Prandaj, shumë cilësi pozitive dhe koncepte të larta njerëzore lidhen me fjalën “poezi”. Ajo është një dhunti hyjnore, është religjion, është e veçantë, është si një diagnozë mjekësore që vetëm poeti ka aftësi t’ia cakton një sistemi ose një fenomeni. Poezia na kujton se e pranishmja por edhe gjithçkaje është më tepër se sa ajo që na sheh syri jonë dhe më gjigante se detajet që na i kap truri. Kështu filozofi i lashtë grek Pitagora e quajti miqësinë njerëzore “poezinë e jetës dhe rrugën që çon në ideal”.

Ata që nuk kanë aftësi ta ndjejnë ose së paku ta vlerësojnë poetin dhe poezinë nuk dinë dhe nuk bëjnë përpjekje ta shohin botën. E bekuara poezi ngjason me ligjin për drejtësinë kur një diktaturë burgos dhe torturon qytetarët, kur mungon liria e mendimit dhe liria e të shprehurit.

Poezia është një nga format më të larta të shpirtërimit, duke ndriçuar vizionin e brendshëm të poetit me dritë magjike. Poezia nganjëherë quhet rrahja e zemrës, ndërgjegjja e njerëzimit, zbulimi intim i vetëdijes dhe nënvetëdijes, libri i shenjtë i shpirtit, dhe gjithashtu fëmija i vdekjes dhe dëshpërimit.

Gjëja e parë me të cilën duhet të njihet një poet aspirues është vetë ai. Ai duhet të depërtojë në botën e tij të brendshme, ta studiojë atë në të gjitha detajet dhe, duke zotëruar këtë njohuri, të përpiqet të zgjerojë kufijtë e saj në çdo mënyrë të mundshme.

Dhe çfarë është poeti

Përkufizimi më i mirë i një poeti është se ai është një lajmëtar, një lajmëtar, apo një ndërmjetës që qëndron midis qiellit dhe tokës, duke lidhur ligjet e perëndive dhe zërat e njerëzve. Bota ekziston për poetin jo si objekt reflektimi, por si një mbulesë e hedhur mbi një mister, si diçka përmes së cilës ai duhet të depërtojë në thelbin e gjërave të dukshme. Jo reflektimi, imitimi apo  riprodhimi, por heqja e velit, dhe kjo është ajo që është arti poetik. Prandaj edhe thuhet poet nuk është ai që mund të flasë bukur, por ai që nuk mund të flasë shëmtuar.

Të gjithë poetët, gjatë krijimit në këto çaste të mëdha ose të vogla, të përsëritura ose unike, në të cilat janë në të vërtetë poetë, dëgjojnë zërin tjetër të brendshëm. Ai zë sa është i tyre aq duket se është dhe është i huaj, gjithashtu është zë që nuk i takon askujt dhe njëkohësisht u takon të gjithëve.

Gjuha e poetit nuk është vetëm fjalim në vetvete, por është zëri i qenies. Poezia del nga thellësia e shpirtit të poetit, ku bie në kontakt me përjetësinë dhe mund të quhet (siç e quante piktori Leonardo Da Vinçi) thellimi i shpirtit (dhe jo njohja e gjërave të jashtme). Poetit i jepet të dëgjojë “zërin e qenies” përmes “zërit të tij të brendshëm”. Dhe sa më qartë që ai dëgjon këtë zë aq më i thellë është komunikimi.

Poeti, Emanuel Mounier shkruan se poeti është një magjistar, ai na çon tek imagjinata, e cila hap botën në realitetin e saj më të thellë të çdo qenie të veçantë. Specifika e të menduarit poetik është “të na vërë në një pozitë të naivitetit profetik, i cili, përtej kufijve të vetëdijes, na bën të jemi të lidhur me realitetin e përgjithshëm”. Mounier besonte se, poeti në formën simbolike është eksponent i hyjnores. Ngase sipas filozofisë personaliste, ekziston një “mister intim i realitetit” që gjendet në thellësitë e unit njerëzor.

Ndërsa poeti francez Charles Baudelaire krijoi imazhin e një albatrosi krenar dhe të mëshirshëm –   të bukur dhe të fortë në fluturim, por me një krah të thyer – në tokë …

Sipas Albert Kamys, një vepër poetike është përfundimi i një filozofie të pashprehur, si dhe ilustrimi dhe kurora e saj. Poezia dhe metafizika janë mënyra të ndryshme të leximit të shifrave të tejkalimit. Filozofi përpiqet ta bëjë këtë me vetëdije, poeti në mënyrë të pavetëdijshme realizon të tërën në veprën e tij.

Profesioni i poetit nuk është të shkruajë poezi, por të ju kujtojë njerëzve për ekzistencën e Zotit dhe të bukurisë, të madhërishmes, t’i ekzaltoj ata me simbolet e përjetësisë… të paralajmërojë rrezikun, kotësinë dhe të keqën. Mund ta imagjinoni çfarë do ishte bota dhe jeta pa praninë e poezisë. Pa praninë e bukurisë…

Poezia lind nga një ndjenjë e befasisë, tronditjes, nga një risi tragjike. Arti i madh është i pandjeshëm ndaj kohës, pothuajse injorant i evolucionit. Çdo shkrimtar, në një farë mase, e përshkruan veten në shkrimet e tij, shpesh edhe kundër vullnetit të tij. Gjeniu i poezisë është një mbërthim i përgatitur nga kultura. Vetë kultura, si jeta, është një oqean alternativash, që konkurrojnë dhe pasurojnë njëri-tjetrin

Sipas Holdërlinit thelbi i poezisë, në masën më të madhe është historik, sepse parashikon një kohë të caktuar historike. Por si një entitet historik, ajo është i vetmi entitet thelbësor. Koha është e pakët e shkurtër, dhe prandaj krijuesi i saj poeti është tepër i pasur – aq i pasur saqë ai shpesh do të donte të sjell në mendje kujtimet e së kaluarës dhe në pritje të së ardhmes do të flinte vetëm në këtë zbrazëti në dukje.

Poezia i bashkon njerëzit, ashtu siç  bashkon për shembull një lojë sporti apo çdo lojë fëmijërore…Mirëpo poezia e mirëfilltë ushtron një ndikim të mirëfilltë tek njerëzit, duke i ndihmuar ata – me të gjitha vuajtjet, gëzimet, aspiratat, shpresat dhe frikën e tyre… gjykimet dhe gabimet, virtytet dhe idetë…Ajo shkrihet në jetë, e përbërë nga mijëra hallka, si një tërësi e pazgjidhshme, sepse kjo është saktësisht e tëra që duhet të jetë vetë poezia, dhe ashtu çfarë është shkaku, ashtu është edhe efekti i saj.

Kur jemi tek poezia e mirëfilltë, vetvetiu duhet përmendur se ekzistojnë shkrimtarë apo poet ku thuhet se mund të ndahen në dy kategori për disa gjëja kryesore është të flasësh ndërsa në kategorinë e dytë bëjnë pjesë ata që dëshirojnë të dëgjohen… Poezia e mirëfilltë nuk është modë e kohës, trend apo sheqerkë për lexuesin sepse më mirë është të shkruash për vetveten dhe të humbasësh lexuesit sesa të shkruash për lexuesit dhe të humbësh vetveten… Andaj thuhet se poezia në fushën e gjerë të saj nëse nuk ka mundur të ua mbyllë dyert disave, ata vetë duhet ta kuptojnë se fjala e fundit e tyre duhet të jetë heshtja…

Poeti nuk krijon botën e tij – ai e di se çfarë do të bëhet bota e përbashkët. Ju pa mëdyshje mund ta quani poetin edhe një vektor të përparimit intelektual. Poetët janë të ndryshëm, po ashtu edhe lexuesit e tyre janë të ndryshëm, ashtu siç është edhe talenti, aftësia dhe popullariteti i tyre. Po ashtu edhe stili i tyre është i ndryshëm. Për shembull dikush shkruan “për veten e tyre”, dikush për shitje. Dikush mbart një poezi për një vit, një tjetër spërkat një poezi për një ditë. Secili poet nuk është si tjetri. Por të gjithë poetët duhet t’i përmbahen një parimi: Poezitë duhet të shkruhen në mënyrë të tillë që do të ishte interesante sikur ju vetë ta kishit lexuar. Nëse ju do të kënaqeni nga ajo të cilën e keni lexuar, atëherë e keni kuptuar talentin tuaj.

Dobia e leximit të poezisë?

Shumë njerëz mendojnë se leximi i poezisë është një gjë krejtësisht e padobishme. Por rezulton se janë plotësisht të gabuar.

Sipas hulumtimeve të fundit shkencore, leximi i poezisë mund të ndihmojë njeriun në forcimin e lidhjeve midis neuroneve të trurit. Në terma njerëzorë, kjo do të thotë që ju do bëheni më të zgjuar dhe më dinamikë kur lexoni poezinë. Përveç kësaj, leximi i poezisë rrit sasinë e endorfinave – hormone këto të gëzimit dhe disponimit të mirë.

Tashmë 100% është vërtetuar se leximi i poezisë kontribuon në zhvillimin e aftësive analitike. Një person që i pëlqen të lexojë poezi shumë shpejtë kupton miqtë e tij dhe ndjenjat e tyre. Gjithashtu ata që janë lexues të poezisë është vërtetuar se nuk janë të kërcënuar nga sëmundja e tmerrshme Al-zheimer… sëmundje kjo e cila karakterizohet nga humbja progresive e neuroneve të trurit.

Po ashtu, leximi i poezisë kontribuon në një rrugëdalje më të shpejtë nga situatat e vështira dhe është shumë më e lehtë për një person të tillë të përballojë probleme… Thjesht është jetike të lexosh rregullisht poezi sepse leximi i saj zhvillon hemisferën e djathtë të trurit, dhe për këtë arsye forcon intuitën tuaj etj etj… Pra leximi i poezisë është shumë i dobishëm për jetën e njeriut…

Sot duket se bashkë me zhdukjen e lexuesit të poezisë, sikur u zhduk edhe kultura e leximit të tyre. Kur themi kulturë e leximit. “Arritje kulturore” – nuk janë vetëm kryeveprat, pallatet, zbulime shkencore, por e gjithë infrastruktura, në të cilën mund të prodhohen ato kryevepra…

Këtu duhet të përfshihet edhe kultura e të shkruarit, të menduarit,kultura e  leximit, etj Aftësia për të shkruar poezi kërkon të njëjtat aftësi teknike si aftësinë për të numëruar ose lexuar, të cilat pothuajse të gjithë mund t’i zotërojnë. Në Francë, për shembull çdo i diplomuar në kolegj është i detyruar (dhe mbase kjo kërkesë është ruajtur deri më sot) të shkruajë një ese në formë poetike.

Gjatë leximit të poezive ne imagjinojmë qartë, shohim, dëgjojmë, prekim, marrim frymë, ndiejmë atë që përshkruhet ndonëse poezitë mund të analizohen më tej. Shkrimi i tyre është shumë më i vështirë sesa mund të duket në shikim të parë…

Poezia sot

Poezia në kuptimin e gjerë të këtij koncepti në të gjitha kohërat ishte thelbësore për njeriun, ajo ishte e pranishme në të gjitha shtresat e shoqërisë.  Shpesh është reklamuar  me të madhe, se: “poezisë i ka ardhur fundi”, se poezia është diçka  anakronike, se ata që shkruajnë poezinë  janë sentimentalë, romantikë, jashtëkohorë… Madje ka rrethe shoqërore të cilët edhe i përtallin poetët. Po pse ndodhë kjo?

Kjo ndodh pasi shumica syresh nuk kanë idenë  çfarë do të thotë  poezi. Ata poezinë e barazojnë me bejtet e rëndomta popullore apo me shkarravina sentimentaliste të disa individëve të patalentuar. Kjo ka bërë që ata të mos dinë vlerën dhe të vërtetën rreth thelbit të asaj që quhet “poezi”.

Borges, dikur thoshte: “Një revistë lexohet për t’u harruar, gjithashtu edhe një disk dëgjohet për t’u harruar, është diçka mekanike, jetëshkurtër. Ndërsa një libër apo poezi lexohet për t’u kujtuar…

Poezia, siç thamë më lart, është organ i ndijimit. Ajo ka lindur bashkë më njeriun dhe do të vdesë së bashku me njeriun.

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img