Hazbi Gubetini është një mërgimtar i hershëm nga Podujeva e Kosovës, i vendosur që nga viti 1989 në Biasca të Zvicrës italishtfolëse. Edhe pse prej dekadash jeton larg atdheut, ai kurrë nuk e ka harruar vendlindjen e tij dhe as përgjegjësinë morale ndaj saj.
Në të gjitha organizimet dhe aktivitetet që lidhen me trojet shqiptare, Hazbiu ka qenë gjithmonë i pranishëm, duke dëshmuar se mërgimi nuk e shuan as ndjenjën e përkatësisë, as detyrimin qytetar.
Një periudhë ai ka punuar edhe si mësues i Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe në Kantonin Tiçino, një angazhim i ndërmarrë nga bindja e thellë se asimilimi nuk luftohet me fjalë, por me punë konkrete dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Krahas punës si mësues, Hazbi Gubetini për plot 29 vite ka punuar në një ndërmarrje ndërtimi si murator. Paralelisht me punën e rëndë fizike, kohën e lirë ia ka kushtuar aktivitetit në shoqata të ndryshme, të cilat kishin për qëllim çlirimin e trojeve shqiptare nga Serbia dhe sllavët e Maqedonisë së Veriut, duke dëshmuar se angazhimi kombëtar nuk njeh lodhje e as komoditet.
Sot, ndonëse në pension të merituar, me të ardhurat e tij modeste vazhdon të ndihmojë njerëz skamnorë dhe persona me probleme shëndetësore, pa bujë e pa kamera, sepse solidariteti i vërtetë nuk ka nevojë për reklamë. Hazbiu është edhe një ambientalist i përkushtuar dhe adhurues i ruajtjes së mjedisit.
Pikërisht këtu qëndron edhe shqetësimi i tij më i madh: mosinteresimi i qytetarëve tanë për ambientin jetësor. Hedhja e mbeturinave kudo, pa përgjegjësi dhe pa ndërgjegje, është bërë një dukuri shqetësuese.
Ironikisht, shumëkush i mban ambientet e brendshme “si sytë e ballit”, por harron se pa natyrë të pastër, as shtëpia dhe as qyteti nuk mund të jenë të shëndetshëm.
Gjatë javës që shkoi, Hazbi Gubetini ka shkuar në Kosovë për të qenë pranë vëllezërve, motrës dhe miqve të tij gjatë festave të fundvitit.
Por, përballë realitetit të hidhur, ai u zhgënjye thellë kur qytetin ku jeton, Fushë-Kosovën, e gjeti të zhytur në mbeturina , një pamje që flet më shumë se çdo raport zyrtar për nivelin e ndërgjegjes sonë qytetare.
Edhe pse në moshë të shtyrë dhe me shëndet jo të mirë, Hazbiu nuk u mjaftua me ankesa.
Ai i përvjelë mëngët dhe fillon pastrimin e bërllokut para bllokut të banesave ku qëndron gjatë pushimeve, një apo dy herë në vit, duke dhënë një mësim të heshtur, por të fuqishëm se ndryshimi fillon nga vetja.

Qytetarët e Fushë-Kosovës, por edhe më gjerë, do të duhej ta marrin si shembull këtë akt qytetarie dhe përgjegjësie shoqërore. Sepse ndërgjegjësimi për ruajtjen e ambientit nuk është luks, as çështje fjalësh, por domosdoshmëri jetike.
Vetëm me ambiente të shëndosha mbrohet shëndeti i njeriut dhe dinjiteti i një shoqërie që pretendon të jetë evropiane.
ARIF EJUPI
P.S. Mungesë respekti për ushqimin, hapësirën publike dhe përgjegjësinë qytetare.






