fbpx
24.2 C
Geneva
Tuesday, October 1, 2024

Ministri Sveçla jep detaje për marrëveshjen për targat

Marrëveshja për targat në Bruksel, reagon ministri Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se nga data 4 tetor, secilës tabel të automjeteve të Serbisë do t’i mbulohet shenja shtetërore.

Sveçla përmes një postimi në Facebook, tha se nuk ka tabela më të mira ose më të këqija të Serbisë.

“Nga 4 tetori, çdo tabele automjeti të Serbisë ne ia mbulojmë shenjën shtetërore. Nuk na interesojnë të tjerat aty. Nuk ka tabela pak më të mira e aso pak më të këqija të Serbisë. Republika e Serbisë nuk po e njeh Republikën e Kosovës. As Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë. Pra, nevojitet njohje reciproke”, thekson ministri Sveçla.

Po ashtu, ministri ka bërë të ditur edhe numrin e targave të përkohshme që janë lëshuar nëpër të gjitha pikat kufitare nga 20 shtatori.
“Që nga data 20 shtator është duke u zbatuar vendimi për pajisje me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë, e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare. Mbi 12.100 targa janë lëshuar qysh atëherë, dhe asnjë incident nuk ka ndodhur”, shkruan Sveçla.

Ndërkaq, ai tha se Njësia Speciale nuk ka nevojë të qëndrojë në veri, pas heqjes së barrikadave.

“Sot është arritur marrëveshja në Bruksel për zbatim të përkohshëm të sistemit të afisheve ngjitëse në targat e automjeteve. Me datën 2 tetor do të largohen barrikadat që janë vendosur jashtëligjshëm e që kanë bllokuar lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë tash e 11 ditë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, e cila që nga dita e parë ka ruajtur rendin dhe sigurinë në vend, më nuk do të ketë nevojë të qëndrojë aty”, thotë ministri i Brendshëm.

Ai ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për punën që kanë bërë gjatë këtyre 11 ditëve në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak.

“Si Ministër i Punëve të Brendshme, e falënderoj çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës për punën e palodhshme dhe profesionalizmin shembullor që kanë treguar. Ata më së miri kanë përfaqësuar shtetin tonë dhe vlerat e një shoqërie që ne duam dhe synojmë: e barabartë, e drejtë dhe demokratike. Edhe reciprociteti i arritur sot derivon nga këto vlera, prandaj ne do ta vazhdojmë atë”, shkruan Sveçla.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel lidhur me reciprocitetin për targa. Këtë e ka bërë të ditur, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak ka thënë se marrëveshja është arritur pas dy ditëve intensive të diskutimeve mes dy palëve.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi të shtunën më 2 tetor 2021. Sipas marrëveshjes, trupat e Njësisë Speciale në veri do të zëvendësohen me trupat e KFOR-it.

Pikat kryesore të kësaj marrëveshje janë sa vijon:

– Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.

– Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.

– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img