Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të papranueshëm reagimin e Prokurorit të Shtetit ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Prokurori i Shtetit i reagoi Sveçlës në lidhje me aksionin e sotëm të Policisë e prokurorisë, ku u arrestuan 10 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.
Reagimi i Prokurorit të Shtetit erdhi pasi Sveçla lavdëroi policinë për aksionin. Prokuroria këtë e quajti përzierje në kompetencat e saj dhe e ftoi atë të mos i jep ngjyrim politik aksionit.
Për Haxhiun, kjo mënyrë e të komunikuarit është e papranueshme.
”E papranueshme komunikata nga zyra e Prokurorit të shtetit kundrejt ministrit Xhelal Sveçla, sidomos kur një i ngjashëm erdhi në mëngjes nga Beogradi! Zyra e Prokurorit të shtetit, nuk reagoi ndaj Vuçiqit e Petkoviqit të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por në mbrëmje Prokurori i shtetit reagoi ndaj një statusi të ministrit Sveçla duke e akuzuar se po përzihet në punët e prokurorisë dhe po i jep ngjyrim politik zhvillimeve të sotme. Shtrohet pyetja se ku ishte prokuroria deri sot? Pse nuk vepruan më herët por vetëm pasi u dëmtua një pjesë e madhe e Brezovicës?, ka shkruar Haxhiu.
Arrestimet e sotme janë kryer edhe për degradimin mjedisor të Brezovicës, ndërtimet pa leje e vepra të tjera.
Prokuroria dyshon se vetëm ish-kryetari Nikoliq ka përfituar një milion euro në mënyrë të paligjshme.