13.2 C
Geneva
Monday, October 20, 2025

Mjekët në Gjenevë realizojnë transplantimin e pjesshëm të zemrës te një djalë 12-vjeçar

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Kirurgët e zemrës në Spitalin Universitar të Gjenevës kanë realizuar për herë të parë në Evropë një transplantim të pjesshëm të zemrës te një pacient 12-vjeçar – një arritje revolucionare që mund të ndryshojë trajtimin e sëmundjeve të rënda të zemrës tek fëmijët. Ky lloj ndërhyrjeje ul ndjeshëm rrezikun e refuzimit të transplantit.

Një risi mjekësore në Evropë
Ky operacion përbën një ngjarje historike për Evropën. Që nga viti 2022, operacione të tilla janë kryer vetëm rreth tridhjetë herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndryshe nga një transplantim i plotë i zemrës, ku transplantohet e gjithë zemra, në këtë rast janë transplantuar vetëm strukturat e valvulave të zemrës – konkretisht valvula e aortës dhe ajo pulmonare.

Këto valvula të shëndetshme merren nga një donator apo donatore, zemra e të cilit nuk është e përshtatshme për transplant të plotë, për shkak të dëmtimit të funksionit të saj ose mungesës së një marrësi të përshtatshëm.

Rasti i pacientit të vogël
Pacienti ishte diagnostikuar me një sëmundje të lindur të zemrës të quajtur “Truncus arteriosus communis”. Ai kishte kaluar tre operacione të mëparshme në një kanton tjetër dhe kishte marrë valvula biologjike artificiale. Këto i kishin mundësuar një jetë pothuajse normale për disa vite.

Megjithatë, në vitet e fundit, valvulat e implantuar filluan të dështojnë, duke e kufizuar aktivitetin e tij fizik. Nëna e djalit tregon se ai u ndje gjithnjë e më i lodhur dhe i ndryshëm nga shokët e tij, duke mos qenë më në gjendje të merrte pjesë në aktivitete fizike si më parë.

Alternativat tradicionale – zëvendësimi i valvulave me një tjetër protezë biologjike apo përdorimi i një valvule mekanike – nuk ishin të përshtatshme për shkak të sëmundjeve shoqëruese dhe nevojës për terapi të përhershme me antikoagulantë.

Një vendim i guximshëm dhe një e ardhme me shpresë
Përballë zgjedhjes mes rrezikut të madh dhe një jete të kufizuar, familja vendosi të ndërmarrë hapin e ri – një procedurë inovative. “Djalli ynë është i mençur, e njeh trupin e vet më mirë se kushdo tjetër dhe ishte entuziast për ta provuar,” citohet nëna e tij në deklaratën për shtyp.

Ndërhyrja kirurgjikale, e cila zgjati pesë orë, u realizua nga kirurgu i zemrës për fëmijë Dr. Tornike Sologashvili, në bashkëpunim me kardiologen pediatre Dr. Julie Wacker.

Dr. Wacker shpjegon: “Muskujt e zemrës mbeten të paprekur, rreziku për refuzim zvogëlohet ndjeshëm dhe nevoja për terapi me imunosupresorë është e kufizuar. Për më tepër, valvulat e reja mund të rriten me trupin e fëmijës, duke shmangur ndërhyrje të reja kirurgjikale në të ardhmen.”, transmeton 20min.ch. / Përgaditi: D.H

(Foto ilustrim)

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img