Sa e lumtur ndjehem të ndajë me ju këtë lajm të mirë: Ag Apolloni vjen në Gjenevë në kuadër të Sallonit ndërkombëtar të librit që mbahet në Palexpo.
Me një përkushtim e bashkpunim të shkëlqyer me Lize’s Bookstore nga Belgjika, ia dolëm që autori Apolloni të ekspozojë tre tituj gjatë muajit mars, gjegjësisht nga data 19 deri më 23 në Palexpo, ku mbahet salloni ndërkombëtar tradicional i librit e që e bënë Gjenevën kryeqytet të magjisë letrare në zhanre të ndryshme.
Kush është Ag Apolloni ?
I lindur më 1982 Apolloni është shkrimtar, studiues dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka studiuar Dramaturgjinë në Fakultetin e Arteve dhe Letërsinë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008. Në vitin 2012 ka doktoruar me nje temë mbi romanin « Gjenerali i ushtrisë së vdekur » të Ismail Kadaresë.
Gjatë viteve 2010-2012, ka qenë kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re kurse gjatë viteve 2013-2023, ka qenë kryeredaktor irevistës Symbol, ku, pos të tjerash, ka realizuar edhe intervista me personalitete të njohura botërore si: Jonathan Culler, Linda Hutcheon, Rita Dove, Mieke Bal, Stanley Fish, Peter Singer, Gottfried Helnwein, Hans Bertens, Ann Jefferson, David Damrosch etj.
Artikujt dhe librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, holandisht, çekisht, maqedonisht, greqisht, sllovenisht etj. Romani Ulurima e Ujkut është botuar në gjuhën çeke si pjesë e kolanës “30 libra të autorëve të shquar bashkëkohorë”, mes autorëve si GaitoGazdanov, Jose Saramago, Julian Barnes etj., ndërsa në gjuhën malazeze Apolloni është përfshirë në një kolanë me shkrimtarët Umberto Eco, Adam Zagajevski, Eva Lipska etj.
Cilat janë veprat e Apollonit?
Ag Apolloni ka shkruar vepra në zhanre të ndryshme, edhe pse ndërkombëtarisht është i njohur kryesisht si romancier. Veprat e tij, të klasifikuara sipas zhanreve, janë këto:
Romane:
– Ulurima e Ujkut (2013)
– Zazen (2014)
– Një fije shprese, një fije shkrepëse (2020)
– Kësulëkuqja, përrallë për të rritur (2022)
– Sikur t’isha djall (2024)
Poezi:
– Zomb (2009)
– Sandalet e Senekës (2020)
– Retorika e heshtjes (2021)
– Shënime nga shpella (2023)
Drama:
– Koleksionisti i syve, Halloween, Judith, Mat (2010)
– Hamleti simbas Horacit (2017)
– Skenderbeu, manuskripti i Marlout (2018)
Kritikë:
– Parabola postmoderne (2010)
– Paradigma e Proteut (2012)
– Koferi i Konicës (2016)
– Commentum (2019-)
Autobiografi:
– Mesjeta ime (2019)
Si janë vlerësuar veprat dhe veprimtaria e Apollonit?
Veprat e Ag Apollonit janë shpërblyer me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe janë mirëpritur nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj.
Ai ka mbajtur ligjërata, ka prezantuar letërsinë e Kosovës dhe ka qëndruar si shkrimtar rezident në dis ashtete, si: Austri, Gjermani, Holandë, Belgjikë, Zvicër, Çeki, Greqi, Turqi, Hungari, Rumani.
Cilat vepra të Apollonit prezentohen në Gjenevë?
Këtë vit, iu rikujtojmë pra se në Sallonin ndërkombëtar të librit që mbahet çdo vit në Gjenevë, Apolloni do të prezentohet me këto romane:
« Një fije shprese, një fije shkrepëse » (shqip, anglisht, gjermanisht), edituar nga Bard Books, 2020
« Kësulëkuqja, përrallë për të rritur » (anglisht, shqip), editues, Bard Books, 2022 dhe me romanin « Sikur t’isha djall » (shqip), edituar nga Bard Books, 2024.
Që tani iu ftoj të rezervoni në agjendën tuaj datat e Sallonit të librit, ku mund të vini jo vetëm që të pasuroni biblotekat e juaja por edhe të takoheni me Ag Apollonin, një vlerë e veçantë e magjisë së letërsisë shqipe.
Mirishahe Limani Hiler