Ministria e Financave ka njoftuar se është marrë vendim për fillimin e zbatimit të masës 1.6, për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Përmes saj, Ministria e Financave do të ofrojë mundësinë që personat me aftësi të kufizuara të ndjekin trajnime për zhvillimin e mëtutjeshëm të shkathtësive të tyre.
Ministria bëri të ditur se masa implementohet në bashkëpunim me OJQ-të, të cilat do të bëjnë përshtatjen e të të trajnuarve dhe biznesit ku zhvillohet trajnimi.
“Sipas masës 1.6, mbështetja financiare përgjatë kohës së trajnimeve, që përbënë një fazë 3 deri në 6 mujore, është si vijon: Të trajnuarit përfitojnë 170 euro në muaj, ndërsa bizneset përfitojnë nga 100 euro në muaj për person. Pas fazës trajnuese, biznesi dhe i trajnuari mund të lidhin marrëdhënie të rregullt pune, e cila po ashtu do të subvencionohet nga shteti, ku për punësim, mbështetja do të jetë 270 euro në muaj për punëtor, për 6 muajt pasues”.