Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit M.A. për arsye se dyshohet që ka kryer krime ndaj popullsisë civile në Izbicë të Pejës më 28 mars të vitit 1999.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se të pandehurit M.A. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, përkatësisht deri më datën 29.05.2021.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehurit në liri mund të arratiset nga vendi apo fshihet me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonte në zvarritjen e procedurës penale”.
“I pandehuri M.A. dyshohet se me datë 28.03.1999 rreth orës 07:00 së bashku me një grup i përbërë mbi 50 veta të forcave ushtarake dhe policore serbe, kishin hyrë në fashtin Izbicë, fillimisht e kishin bombarduar fshatin duke shkatërruar shtëpitë dhe pasurinë e civilëve dhe në këtë mënyrë i kishin detyruar civilët që të dalin nga shtëpitë dhe i kishingrumbulluar në një venddhe me forcë dhe kërcënim i kishin detyruar gratë dhe fëmijët që të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës, ndërsa mbi 140 burra i kishin grumbulluar në një vend të quajtur ‘’Kodra e Zallit’’ dhe të njëjtit i kishin vrarë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.