Shefi i misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, priti sot në një takim të veçantë pilotin me prejardhje nga Kosova, Agon Sejdiu.
“Pata kënaqësinë ta mirëpres në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih pilotin Agon Sejdiu, një të ri me rrugëtim frymëzues profesional,” tha z. Berisha.
Agon Sejdiu ka përfunduar studimet në menaxhment biznesi në SIB – Schweizerisches Institut für Betriebsökonomie në Cyrih. Pas diplomimit, ai kreu trajnimin profesional në Horizon Swiss Flight Academy në Kloten, ku fitoi licencën Frozen ATPL (Airline Transport Pilot License).
Për të avancuar më tej në karrierën e tij, Sejdiu u specializua për aeroplanin Airbus A320 në CAE Madrid, një nga qendrat më prestigjioze të trajnimit për pilotë në Evropë. Nga marsi i vitit 2025, ai do të shërbejë si First Officer (kopilot) në kompaninë ajrore easyJet Switzerland.
Ky takim shihet si një dëshmi e sukseseve të të rinjve shqiptarë në diasporë dhe e përfaqësimit të tyre dinjitoz në fushat profesionale ndërkombëtare.


 
                                    



