Improvizim apo demokraci? Numri i kandidatëve për të parin e LDK-së vështirëson zgjedhjen e kryetarit.
Lidhja Demokratike e Kosovës më 14 mars do të mbajë zgjedhjet për kryetar të partisë dhe numri i madh i kandidaturave të shpallura mund t’i shkaktojë probleme të brendshme kësaj partie dhe gjithashtu reflekton një mos-unitet të partisë nga njëra anë, por një demokraci të brendshme nga ana tjetër.
Cila është e vërteta e numrit të lartë të kandidaturave për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të kuptohet pas datës 14 mars, por gjithashtu ky fakt mund t’i shkaktojë partisë edhe probleme në aspektin formal të zgjedhjeve, shkruan lajmi.net
Sipas statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, “Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm“.
Kuvendi i LDK-së është i përbërë nga 355 delegatë që vijnë nga degët dhe nëndegët e partisë dhe të cilët zgjidhen në Kuvendin Qendror të partisë i cili mbahet çdo 4 vite.
Së këndejmi, pas konfirmimit të kandidaturave, kryetari i LDK-së zgjedhet në Kuvendin e LDK-së me votim të fshehtë, vetëm në rast kur Kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë vendoset nga vet Kuvendi për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për Kryetar.
Numri kaq i lartë i kandidaturave nënkupton shpërndarje të votës tek kandidatët që tashmë i kanë shpallur kandidaturat e që janë Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Anton Quni, Besian Mustafa e Skender Gashi. Kjo shpërndarje e votës mund të sjellë probleme edhe në votimin e kandidatëve pas konfirmimit të tyre si kandidatë.
Lidhur me këtë, analisti Rasim Alija për lajmi.net është shprehur se asnjëri nga kandidatët nuk e ka të sigurtë që do t’i konfirmohet kandidatura brenda Kuvendin dhe nuk dihet nëse do të jenë të gjitha zyrtare.
Tutje, Alija shprehet që duhet të mos ketë ripërsëritje të përvojave të LDK-së në Kuvendet zgjedhore por sipas tij, kandidatët e deritanishëm nuk tregojnë se mund të ketë zhvillime të tjera.
“Në aspektin e brendshëm, kjo e vështirëson votën për zgjedhjen e një kandidati sepse asnjëri prej tyre nuk e ka të sigurtë dhe është elementi tjetër që ka të bëjë me pjesën që nuk e dimë ende se a janë këto 4 ose 5 kandidatura zyrtare a do të jenë në ditën e dielë kur mbahet Kuvendi a do të dalin si kandidatura ta marrin besimin që të votohen. Pra ka paqartësi lidhur me këtë dhe ne shpresojmë që të mos ketë ripërsëritje të përvojave në Kuvendet zgjedhore në LDK, por ajo që mund të themi se duke marrë parasysh kandidaturat aktuale nuk besohet se mund të nxiste reagime të tilla”, thotë Alija për lajmi net.
Sa i përket numrit të lartë të kandidaturave, Alija thotë se janë dy mundësi, ose të jetë produkt i demokracisë së brendshme të LDK-së, por edhe mund të jenë improvizime brenda strukturave që t’i pamundësohet dikujt zgjedhja kryetar.
“Nëse e shohim nga jashtë është një sinjal i mirë, këto deklaratat e rëndomta të shoqërisë civile dhe analistëve në kuptimin e demokracisë së brendshme, por nga kjo përspektivë numri i kandidaturave është i shëndetshëm, por nuk e dimë a vjen si produkt i demokracisë brenda LDK-së, apo janë improvizime brenda strukturave të saj që t’i pamundësohet zgjedhja kryetar dikujt brenda.”, thotë Alija.
Gjithashtu, është e rëndësishme sipas analistit Alija që personi që do të zgjidhet në krye të ketë në plan të veprimit pasi një rimëkëmbje e LDK-së është e domosdoshme.
“Ajo që është e rëndësishme është se LDK ose personi që do të mund të zgjidhej ka shumë punë, e pret një rimëkëmbje totale e LDK-së dhe mbi të gjitha do të ishte e mirë dhe e mirë se ardhur që ai kandidat ta kishte një plan të gatshëm të veprimit, duke filluar nga degët, nëndegët dhe Këshillin e Përgjithshëm dhe të ketë një strukturë të ringjallur dhe të ketë kontakt me strukturat e reja që janë si pjesë e trupës elektorale në Kosovë.”, tha Alija.
Më 14 mars, LDK-ja do të dalë nga Kuvendi i saj me kryetar të ri dhe mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i një zhvillimi interesant brenda një partie si LDK-ja.