fbpx
18.8 C
Geneva
Monday, September 30, 2024

Opozita: Mbulimi i simboleve legalizon autoritetin e Serbisë në Kosovë

Partitë opozitare kanë kritikuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave. Duke e quajtur një marrëveshje të dëmshme, ata thonë se me ketë marrëveshje, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti po e njeh legjitimitetin e institucioneve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 30 shtator, e cila ndali tensionet trembëdhjetë ditëshe në dy pika kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë e Bërnjak.

Të hënën, më 4 tetor ka filluar vendosjen e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e automjeteve që kalojnë në territorin e Kosovës dhe Serbisë. Ngasësit e automjeteve po pajisen me këto letra ngjitëse gjatë kalimit të kufirit.

Kjo pikë e marrëveshjes është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kosovë, në seancën e Kuvendit të Kosovës, që po zhvillohet të hënën.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha Qeveria e Kosovës bëri një marrëveshje të dëmshëm, marrëveshje kjo e cila sipas tij, legalizoi targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, siç janë ‘KM’, ‘PZ’ dhe ‘PR’, që lëshohen nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

“Ky është dëmi më i madh që i keni bërë Kosovës. Për dy dekada nuk ka pasur marrëveshje më të dëmshme sesa kjo që sot e kemi. Për dy dekada Serbia ka lëshuar targa që nuk janë njohur nga qeveria jonë. Dhe ajo arriti që me këtë marrëveshje t’i legalizonte targat ‘KM’, ‘PR’, ‘PZ’ e të tjera që i lëshon Serbia për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Tahiri ka kërkuar nga Qeveria Kurti që ta ndalë, atë që ai e cilësoi si hov të dëmshëm, që tha se është duke e vazhduar dhe që sipas Tahirit është duke e dëmtuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se Qeveria e Kosovës me marrëveshjen e arritur në Bruksel, ka legalizuar autoritetin e Serbisë në territorin e Kosovës.

Ai tha se këto targa që lëshohen nga autoritetet serbe njihen si targa të Serbisë për territorin e Kosovës.

“Ajo që po shohim ne sot kemi një marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për tërheqjen e forca policore të Kosovës nga veriu. Pse duhet qeveria të bëjë marrëveshje për t’u tërhequr nga pjesë e territorit të vetë”, tha Gashi gjatë seancës plenare.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe shef i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, i ka quajtur të pavërteta dhe tendencioze deklaratat e shefave të grupeve parlamentare të dy partive opozitare, PDK dhe LDK.

“Marrëveshja u cilësua nga ju edhe si më e dëmshme se Zajendica (v.j. Asociacioni i komunave me shumicë serbe), më e dëmshme se Marrëveshja për energjinë e Marrëveshja për drejtësinë, më e dëmshme se bisedimet për ndarjen e Kosovës. Por, e vërteta është se kjo marrëveshje është krejt ndryshe nga ato paraprake. Ata të cilët marrëveshjet paraprake i shohin si të mira, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si jo të keqe. Ata të cilët marrëveshjet paraprake i shohin të këqija, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si të mirë”, tha Bislimi.

Ai tha se për herë të parë targat e Serbisë me denoninime rajonale të Kosovës trajtohen si targa ilegale, pasi në qeveritë e kaluara ishin trajtuar si të Kosovës.

Bislimi po ashtu iu është përgjigjur deputetëve të opozitës duke thënë se janë të pavërteta akuzat që po i bëhen qeverisë lidhur me marrëveshjen për targat.

“Folësi i parë tha se për dy dekada Serbia ka lëshuar targa ilegale dhe nuk janë pranuar kurrë nga Kosova. Kjo është gjysmë e vërtetë. E vërteta është se për dy dekada kanë lëshuar targa ilegale, por e pavërtetat është që nuk janë pranuar nga Kosova . Ato janë toleruar dhe janë pranuar”, tha Bislimi.

 

Sipas tij, marrëveshja e 27 tetor të vitit 2015, e arritur në kohën e qeverisës së Isa Mustafa, në pikën e 4 thuhet që ka të bëjë për çështjen e letrave ngjitëse, kjo nuk do të aplikohet për qytetarët e Kosovës që mbajnë targa të Serbisë me denoninime regjionale të Kosovës.

Kjo sipas Bislimi do të thotë se marrëveshja për targat ‘KM’ i ka trajtuar si targa të Kosovës. Në një intervistë​ pë​r REL-in, Bislimi ka thë​në​ se targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, siç janë ‘KM’, ‘PZ’ dhe ‘PR’, që lëshohen nga Ministria e Brendshme e Serbisë, nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022. ​

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, e cila obligonte të gjithë shoferët e automjeteve me targa të Serbisë t’i hiqnin ato dhe t’i zëvendësonin me targa të përkohshme prej letre.

Kjo nxiti pakënaqësinë e serbëve lokalë në veri të Kosovës, të cilët nga 20 shtatori deri më 2 tetor, bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Por, me marrëveshjen për uljen e tensioneve, përveç letrave ngjitëse, që mbulojnë simbolet shtetërore në targat e Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të marrëveshjes së arritur në Bruksel, palët u pajtuan që të hiqen barrikadat e vendosura në Jarinjë e Bërnjak si dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Në këto dy pikëkalime, për dy javë do të qëndrojnë pjesëtarët e misionit të KFOR-it.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img