Shumë zyrtarë policor janë arrestuar për dhunë ndaj qytetarëve..
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka folur për herë të parë rreth ngjarjes së paprecedentë që ishte publikuar disa javë më parë në media, kur një polic brenda stacionit të policisë kishte ushtruar dhunë mbi një të mitur.
Zyrtari policor, Haris Kelmendi u pati arrestuar nën dyshimin se gjatë vitit 2018, ka keqtrajtuar fizikisht një 18-vjeçar, në stacionin policor në Prishtinë. I njëjti e kishte incizuar momentin e keqtrajtimit.
Viktima e këtij rasti, Leotrim Rama, ka dëshmuar në Policinë e Kosovës, se zyrtari policor, Haris Kelmendi ka ushtruar presion ndaj tij për ta ndryshuar deklaratën.
Haris Kelmendi u arrestua edhe me 28 janar nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, por i njëjti u lirua më pas.
E Mehmeti që atëbotë nuk ishte në pozitën që ushtron tash, thotë se kur ka parë videon është ndjerë jashtëzakonisht keq.
“Ajo është një sjellje që e dënojmë, dhe në asnjë mënyrë nuk e tolerojmë, përkundrazi e dënojmë shumë ashpër. Ju e keni parë që policia ka bashkëpunuar që të zbardhet ky rast, dhe do të jetë e gatshme për të gjitha rastet që të punojmë në zbardhjen e tyre”, tha Mehmeti në emisionin “Udhëve” të RTK-së.