Me ftesë të deputetit shqiptar nga Kanton Cyrih, z. Islam Alijaj – anëtar i Këshillit Kombëtar të Zvicrës (Nationalrat) – përfaqësues të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih realizuan një takim në ndërtesën e Parlamentit Federal në Bernë.
Takimi u zhvillua në atmosferë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, me qëllim forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Cyrih dhe më gjerë.
Konsullata shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe respektin e vazhdueshëm që z. Alijaj ka treguar ndaj komunitetit shqiptar dhe për angazhimin e tij të pandërprerë në çështjet që prekin diasporën.
Z. Islam Alijaj është përfaqësues i Kantonit Cyrih në Këshillin Kombëtar të Zvicrës dhe anëtar i Partisë Socialdemokrate (SP). I lindur në Kosovë dhe i rritur në Zvicër, ai ka një histori frymëzuese të angazhimit për barazi dhe drejtësi sociale. Alijaj njihet si një nga zërat më të fuqishëm për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke kërkuar politika më gjithëpërfshirëse dhe akses më të madh në shërbime publike.
Përveç kësaj, ai mbështet politika progresive në fushat e integrimit, arsimit dhe mbrojtjes sociale, duke i dhënë rëndësi përfaqësimit të të gjitha komuniteteve në procesin politik. Me aktivitetin e tij, Alijaj është bërë simbol i suksesit të integrimit të diasporës shqiptare dhe i pjesëmarrjes aktive në jetën publike zvicerane./Alb’swiss TV/
 
  
 


 
                                    



