Pas një sëmundje të shkurtër dhe të rëndë më 4 mars 2023 në një nga spitalet e Nju Jork- ut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ndërruar jetë Shemsi Sylejman Zeneli nga Prishtina.
Shemsiu në Nju Jork pati migruar më 1999 në periudhën e eksodit biblik së bashku me bashkëshortën dhe katër fëmijët e tij. Ai nga i gjithë rrethi dhe farefisi njihej si bamirës i madh dhe njeri i sakrificës.
Personalisht kam kujtime të panumërta nga jeta me Shemsiun të cilin nëna ime e ndjerë e kishte çun axhe. Në kohën kur po studioja në Fakultetin Juridik dhe atë Filozofik të Universitetit të Kosovës të shumtën e kohës banoja te Shemsiu. Më trajtonte sikur fëmijët e tij. Ngjashëm vepronte dhe bashkëshortja e tij një grua bukëdhënëse e fisnike. Falë, Shemsiut qëkur isha fëmijë jam njohur me të gjitha trevat e Kosovës.
Më 14 mars të vitit 1994 nën pretekstin se kinse kam organizuar celula vetmrojtëse për regjionin e Podujevës më pati keqtrajtuar një mënyrë çnjerëzore me shkop elektrik dhe mjete të tjera të forta policia serbe. Jo vetëm kaq. Më kontrollohej çdo ditë shtëpia. Veç kësaj policia serbe e mllefosur që nuk po dorzohesha ia pati plaçkitur veturën vëllaut tim Ahmetit që punonte në Vjenë të Austrisë, edhepse posedonte dokumente të rregullta. Shemsiu e pati marrë guximin dhe më pati strehuar në shtëpinë e tij, gjë të cilën nuk guxonin ta bënin të tjerët. Shërbimi sekret serbë i ndihmuar edhe nga disa shërbëtor të tij e pati shtuar kontrollin, nga frika që mund të arrestohem prapë Shemsiu së bashku me të birin Arsimin dhe kushëririn tyre Skënder Zeneli që ishte i martuar në Strugë në mënyrë klandestine në orët e mbrëmjes më çojnë në Han të Elezit në shtëpinë e një shoku të Shemsiut.
Prej këtu së bashku me një familjar të shokut të Shemsiut kemi kaluar nëpër lumin Lepenc prej nga jemi futur në fshatin më të afërt shqiptar të Maqedonisë. Kurse, Shemsiu me Arsimin dhe Skënderin me veturën e tyre patën kaluar në vijë të rregulltë. Ndërkohë polica serbe nëpërmjet atoparlantit njofton se është kapur një person i cili ka dashur të futej ilegalisht në Maqedoni. Unë dhe personi që më kishte ndihmuar për t’u futur në territorin e Maqedonisë kur e takojmë Shemsiun, Arsimin dhe Skënderin vrejmë që fytyrat e tyre ishin bërë të verdha dyll nga frika që jemi kapur nga polica serbe apo ajo maqedonase. Meqenëse vetura e Shemsiut mbante targa të Prishtinës ekzistonte edhe rreziku i kontrollit nga policia maqedonase e cila në atë periudhë bashkëpunonte ngushtë me policinë serbe. Shemsiu një periudhë pati punuar edhe si shitës pemësh dhe perimesh për fatin tonë të mirë e takon një shokun e tij nga Haraqina e Shkupit nga i cili disa herë kishte blerë sasi të mëdha speci dhe shalqiri. Unë dhe Skënderi futem në veturën e personit nga Haraçina, kurse Shemsiu dhe Arsimi na ndjekin pas me veturën e tyre. Kur mbërrim në Shkup shohim jo më shumë se tre persona në grup meqense policia maqedonase kishte aplikuar orë policore si shkas për t’i keqtrajtuar shqiptarët. Këtë natë plot ankth e kalojmë në një bujtinë të të një boshnjaku e cila ishte e mbushur plot rraqe. Gjatë gjithë natës kemi qëndruar në karrige ngase nuk kishim ku të shtriheshim. Mbaj mend sikur sot që kemi paguar mbi 100 dollarë. Të nesërmen në orët e hershme të mëngjesit unë dhe Skënderi tashmë i ndjerë udhëtojmë për në Strugë. Ndërkaq, Shemsiu dhe Arsimi kthen në Prishtinë. Ndarja me ta ishte tepër emocionuese që edhe sot më bënë me lot.
Shemsiut që i detyrohem deri në bashkimin me te për humanitetin dhe shpirtëgjërësinë e tij, përveç meje i detyrohen edhe dhjetëra të tjerë. Në shtëpinë e tij qëndronin me javë të tëra njerëz të fshatrave të Llapit që vinin për vizita mjekësore në Spitalin e Prishtinës, ku Shemsiu punoi mbi 30 vite. Shemsiu poashtu tregoi humanitet të pashoq me motrat bonjake Fahrije dhe Fegjrije Salihu të cilat i trajtoi ngjashëm me motrat e tij. Humanitetin e Shemsiut nuk e harruan në asnjë mënyrë djemtë e Fahrijes të cilët edhe në Amerikë i ruajtën lidhjet me Shemsiun. Ndihmën e bërë Shemsiu asnjëherë nuk e publikonte . Ndihmonte nipër e të afërm edhe me të holla. E tillë ishte edhe bashkëshortja e tij Hilmie Berisha – Zeneli e cila pa përtesë përgatiste për mysafirët 4-5 vakte me ushqime të shumëllojshme. Vdekja e Shemsiut larg Atdheut i ka pikëlluar familjar, shokë e miq ngase ishte i dashur për të gjithë. Lajmin për vdekjen e tij me lot e dhembje e pritën edhe të gjithë banorët e lagjes ku jetonte Shemsiu. Qoftë i parajsës dhe u preftë i qetë në dheun e Prishtinës në të cilën lindi dhe u rrit ! Vdekja e tij e papritur ma mori një copë shpirti përveç që e kisha dajë e kisha edhe shok dhe këshilltar të së mirës. Momentet me dajën jam duke i kujtuar me dhembje të pashpjegueshme dhe me lot. Ai do të mbetet në kujtesën time të përhershme deri në bashkimin me Te !