Komuna e Rahovecit përkujton dhe nderon, sot, mbi 440 viktimat e masakrave të luftës së fundit në Krushë të Madhe, Fortesë, Brestoc dhe Celinë.
Njëzetetre vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë, nga forcat serbe u masakruan 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën. Në këtë fshat ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona të tjerë.
Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër Sllobodan Millosheviqit dhe disa udhëheqësve tjerë politikë e ushtarakë serbë. Por, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat.
Po ashtu, sot mbushen 23 vjet nga masakrimi i 69 martirëve në fshatin Fortesë, 5 dëshmorëve dhe 49 martirëve në Brestoc dhe 75 martirëve në Celinë të Komunës së Rahovecit, raporton RTK.