fbpx
8.6 C
Geneva
Friday, November 1, 2024

Sabadus: Siguria energjetike e Ukrainës është siguri për Evropën Lindore

Pse rusët e kanë shfrytëzuar gazin nga rezervat e veta, ndërkohë që nuk e kanë kompensuar me asgjë, në vend se të përgatiten për sezonin e dimrit – kjo është pyetja që e parashtron në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, dr. Aura Sabadus, eksperte për tregun e energjetikës dhe hulumtuese në Qendrën evropiane për sigurinë energjetike dhe resurset (EUCERS). Ajo, gjithashtu, është gazetare në Agjencinë e pavarur për mbikëqyrjen e tregut.

Situata me krizën energjetike, këtë vit ka treguar që pavarësisht se sa burime të ripërtërishme ekzistojnë, lënda djegëse bazë që është e besueshme dhe së cilës mund t’i kthehemi, në rast se centralet e erës nuk funksionojnë, nuk fryn erë, nuk shkëlqen dielli, është gazi natyror, thotë Dr. Aura Sabadus për RSE.

Përderisa të mos gjenden mënyra për akumulimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme, gazi natyror do të jetë lëndë djegëse mjaft e rëndësishme, thekson Sabadus dhe shton që rëndësia e tij po rritet marrë parasysh planet për heqjen e qymyrit nga përdorimi.

Radio Evropa e Lirë: Si u bë gazi natyror kaq i rëndësishëm në prodhimin e energjisë elektrike?

Aura Sabadus: Gazi natyror përdoret tash e shumë vjet si lëndë djegëse bazë, gjegjësisht, kapaciteti bazë i energjisë së gjeneruar. Lënda djegëse bazë do të thotë që garanton qasje të vazhdueshme në akumulimin e energjisë elektrike, ndryshe nga burimet e ripërtërishme të energjisë, sepse burimet e ripërtërishme ndërpriten, ato nuk kanë vazhdimësi.

Përdorimi i gazit natyror ka filluar të rritet shumë që nga vitet 1990 kur kompanitë u larguan nga nafta – gazi është më i pastër, më i lirë.

Rusët tani janë prapa gjithçkaje sepse kanë gjetur rezerva të mëdha gazi.

Zbulimi i holandezëve ishte, gjithashtu, shumë i rëndësishëm.

Çmimet e gazit filluan të ndahen nga çmimet e naftës. Ishte gjithçka interesante, sepse njerëzit filluan të instalonin kaldaja me gaz. Dhe, që atëherë (gazi natyror) është bërë mjaft i popullarizuar.

Tani, duke shkuar më tej, përdorimi i gazit natyror ka të ngjarë të ulet për shkak të kërkesave të Marrëveshjes së Gjelbër dhe interesit të Bashkimit Evropian për ta zëvendësuar atë me lëndë djegëse më të pastra.

Sidoqoftë, situata na ka treguar këtë vit që, pavarësisht se sa burime të ripërtërishme kemi, kapaciteti bazë i energjisë së gjeneruar ose karburantit bazë që është i besueshëm dhe të cilit mund t‘i kthehemi në rast se fermat e erës nuk funksionojnë, era nuk fryn, dielli nuk shkëlqen, është gazi natyror.

Përderisa nuk gjejmë mënyra, nuk i zhvillojmë bateritë e kapaciteteve të mëdha dhe përderisa nuk kemi forma solide të akumulimit të energjisë së ripërtërishme, gazi do të jetë një karburant mjaft i rëndësishëm.

Sidomos, pasi që qymyri, të cilin të gjithë e shohin si një ndotës i madh, do të nxirret jashtë përdorimit, gazi do të mbetet. Sidomos në Evropën Lindore, e cila aktualisht është rreth 40 për qind e varur nga qymyri.

Në të ardhmen, ka shumë të ngjarë që qymyri të hidhet jashtë përdorimit, ndoshta jo plotësisht në 10 vitet e ardhshme, por gradualisht do të hidhet dhe zëvendësohet.

Radio Evropa e Lirë: Javët e fundit, çmimi i gazit në Evropë, por edhe në pjesët tjera të botës, është ngritur deri te nivelet rekorde – ndërkaq, roli i Rusisë si furnizues i madh, përveç Norvegjisë, është gjetur në qendër të çështjes së krizës energjetike. Artikulli juaj, i cili flet për këtë, për Aleancën Atlantike, titullohet “Kriza energjetike evropiane nxjerr në pah rreziqet nga mbështetja prej Rusisë”. Cilat janë rreziqet?

Aura Sabadus: Së pari, dua të theksoj se kjo krizë erdhi si një kombinim i shumë faktorëve. Rritja e kërkesës pas vitit të kaluar, pastaj disa probleme që lidhen me prodhimin në disa termocentrale në Australi, Norvegji, etj, pastaj disa thatësira – Amerika e Jugut, Turqia, dhe për shkak të këtyre problemeve, Evropa filloi të kthehej kah Rusia, sepse shumë pako të gazit të lëngshëm, të cilat vitin e kaluar erdhën nga Shtetet e Bashkuara, tashmë kanë shkuar në Azi, për shkak të këtyre problemeve. Evropa iu drejtua Rusisë, si furnizues i menjëhershëm dhe më i madh. Ka pritur që Rusia t’i rrisë dërgesat e gazit.

Megjithatë, nëse shikojmë se çfarë dërgoi Rusia – në krahasim – bëhet fjalë për sasi më të vogla, domethënë, nëse shikohet se sa gaz ka dërguar Rusia, ato dërgesa mbase mund të jenë më të mëdha përmes “Rrjedhës Veriore 1”, siç tregojnë të dhënat tona, por përmes Ukrainës, kur krahasohemi me të dhënat e vitit të kaluar, është e sigurt se kanë dërguar shumë më pak.

Dua të them që, Putini tha se ata dërguan 8 për qind më shumë sesa kishin nevojë sipas kontratës, por kontrata për këtë vit ishte në 40 miliardë metra kub (bcm), ndërkaq vitin e kaluar ishin 65 miliardë metra kub – kështu që ne tashmë i kemi ato 15 miliardë metra kub më pak në marrëveshjen për transit me Rusinë. Kjo është së pari, pra, kemi parë rënie në transit të gazit përmes Ukrainës.

Së dyti, megjithëse Ukraina ofroi më shumë kapacitet, Rusia rezervoi diçka, por jo plotësisht. Rezervuan një shtesë prej 50 milionë metrash kub, por ukrainasit ofruan 64 milionë metra kub, përballë atyre 50 milionë metrave kub shtesë.

Gjithashtu, Rusia nuk i ka mbushur rezervat e saj të gazit në Evropë.

Kjo ishte një nga çështjet e mëdha, për të cilën kanë bërë pyetje shumë analistë. Pse, në kohën kur fillon sezoni i ngrohjes më 1 tetor, shumica e rezervave evropiane ishin të plota në 70-75 për qind dhe rezervat ruse në 40-50 për qind, ndërkaq në disa rezerva vetëm dy për qind? Prandaj është pyetja, pse?

Pse rusët përdorën gazin nga rezervat e tyre? Ata nuk kompensuan asgjë në vend që të përgatiteshin për sezonin e dimrit.

Nëse shikojmë të dhënat nga viti i kaluar, rezervat operative të Gazpromit ishin në 80-90 për qind. Tash janë në dy për qind. Dimri po vjen, ndërkaq janë vetëm dy për qind rezerva. Pyetje e madhe është – pse?

Dhe, së treti, nëse kontrolloni çmimet dhe ndërhyrjet e ndryshme të përfaqësuesve të ndryshëm rusë, përfshirë edhe presidentin Vlladimir Putin, do të shihni se si Rusia ka menaxhuar me tregjet evropiane në javët e fundit.

Menjëherë pas fjalimit të tij në mëngjesin e 6 tetorit, kur çmimi i gazit natyror shkoi në 160-170 euro, pas fjalimit të Putinit, në të njëjtën ditë, çmimi ra për 50 euro. Këto janë ndryshime të mëdha të çmimeve.

Në rrethana normale, vitet e fundit çmimi do të kishte lëvizur nga dita në ditë, për vetëm disa euro-centë dhe jo brenda një dite. Këtë vit, çmimet shënuan një diferencë prej 50 eurosh. Paqëndrueshmëria është e madhe.

Nga njëra anë keni çmime të larta, ndërkaq në anën tjetër keni atë jostabilitet që e godet ekonominë. Nuk është çudi që ne shohim që shumë kompani dhe industri, të cilat varen nga gazi natyror, falimentojnë ose e zvogëlojnë prodhimin.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë implikimet e tjera të sigurisë, të cilat ju i citoni edhe në artikullin e përmendur, për Ukrainën, por edhe për Evropën Qendrore dhe Lindore, që do të ishin pasojë e funksionimit të plotë të “Rrjedhës Veriore 2”?

Aura Sabadus: Absolutisht. Një nga argumentet e spikatur thotë se sjellja e Rusisë mund të jetë e motivuar nga interesi i saj për të përshpejtuar, për të ushtruar presion mbi zyrtarët evropianë, për të miratuar shpejt “Rrjedhën Veriore 2”.

Kjo është e mundur, por askush nuk e di me siguri se cila është strategjia e Kremlinit ose Gazpromit. Kështu që e kam shumë të vështirë të them qind për qind me siguri, që ky është një rrëfim zyrtar. Ky është një argument për debat që ia vlen të shqyrtohet.

 

Por, duke shkuar drejt përfundimit të punëve në “Rrjedhën Veriore 2”, në qoftë se Rusia vendos të ndryshojë drejtimin e rrjedhës aktuale nga Ukraina, kah “Rrjedha Veriore 2” – madje edhe para afatit, sepse marrëveshja aktuale skadon në vitin 2024 – ekziston një rrezik real, që në mungesë të transitit ukrainas, shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore mund të mos kenë qasje në gaz.

E gjithë kjo ndodh sepse ekzistojnë disa pika të mbingarkesës. E gjithë kjo ka të bëjë me kapacitetin dhe infrastrukturën. Kështu që, për momentin, t’ju jap një përshkrim, është menduar që gazi të shkojë nga lindja kah perëndimi. E gjithë kjo infrastrukturë është projektuar që gazi të shkojë nga Rusia, përmes Ukrainës në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.

Te Rrjedha e Veriut më nuk do të shkohet nga lindja kah perëndimi, por do të kthehet nga Gjermania, prapa dhe përsëri në Evropën Lindore dhe Qendrore.

Tani, ka disa pika bllokimi në kufij të ndryshëm. Njëra është ndërmjet Republikës Çeke dhe Sllovakisë, tjetra është ndërmjet Bavarisë në jug të Gjermanisë dhe Austrisë, si dhe ka disa të tjera – ndërmjet Austrisë dhe Hungarisë dhe Hungarisë e Rumanisë.

Transiti përmes Ukrainës është i madh, kështu që kapaciteti nga Ukraina drejt Evropës Qendrore është i madh, por kur doni të ndryshoni rrjedhën, atëherë kapaciteti hyrës në Ukrainë është i kufizuar. Pra, nga Sllovakia për në Ukrainë, kapaciteti është i kufizuar.

Së pari kemi probleme me kapacitetin që nuk mjafton për të kthyer gazin prapa në rajon. Së dyti, ne nuk e dimë se ku do ta dërgojë Gazpromi gjithë atë gaz.

Ata do të dërgojnë gaz përmes “Rrjedhës Veriore 2” dhe një pjesë do të shkojë në Republikën Çeke, tjetra në Gjermani, disa në Sllovaki, Hungari, por Ukraina dhe Rumania janë të fundit në radhë.

Shtrohet pyetja se a do të fitojë diçka Ukraina?

Ukrainës edhe më tej i duhet. Mendoj se i ka 20 miliardë metra kub nga prodhimi i tij, që përbën dy të tretat e nevojave të tyre, por ende ka nevojë për 10 deri në 15 miliardë metra kub, gjegjësisht, për një të tretën e nevojave të importit.

Në qoftë kjo nuk ndodh, unë nuk e di se prej nga do ta sigurojë.

A do të detyrohet Ukraina t’i kthehet Rusisë dhe ta lusë atë për sasi shtesë të gazit, sepse prodhimi i saj është i kufizuar dhe nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të siguruar këtë burim energjie? Por, kjo ka implikime të mëdha të sigurisë. Në qoftë se Ukraina do të detyrohet që të kthehet kah Rusia, atëherë Rusia me siguri që do t’i thotë ‘domethënë, ju doni gaz, ejani të shohim se si mund të negociojmë”.

Mos e harroni marrëveshjen e vitit 2010, kur Ukraina duhej të dorëzonte bazën e saj detare në Krime në këmbim të një çmimi më të ulët të gazit.

Nuk po them që do të ndodhë kjo, por duke gjykuar nga përvojat e kaluara të vendeve të tjera, përfshirë Ukrainën, kjo është e mundur.

Ky është problem i sigurisë numër një.

Gjëja tjetër është se për shkak të rrjedhës së kundërt të gazit, Ukraina është një vend i madh dhe për t’u përmbysur presioni, nevojitet që të keni presion në sistem. Kjo është çështje teknike. Presioni krijohet me më shumë gaz në sistem. Do të thotë, në qoftë se keni më shumë gaz në sistem, atëherë më lehtë mund ta orientoni nga perëndimi kah lindja. Por, nëse keni kufizime në sasinë e gazit, i cili importohet nga Sllovakia, ai gaz nuk mund të arrijë deri te pjesa lindore e Ukrainës. Ndërkaq, provincat më të lëndueshme janë pikërisht provincat në Detin e Zi. E dimë se sa të lëndueshme janë provincat ukrainase në Detin e Zi.

Dhe, pastaj, më në fund për Evropën – një nga kërkesat më të mëdha që Rusia ka, dhe unë mendoj që analistët evropianë nuk e kuptojnë këtë aq sa duhet dhe për të nuk diskutohet shumë, ndërkaq që ka të bëjë me atë që Rusia tani dëshiron që Evropa të kthehet në aranzhimet e vjetra, të para se 12 vjetëve ose edhe më parë. Shumica e blerësve në Evropë i kanë pasur ato kontrata afatgjate me Rusinë. Që do të thotë se kanë blerë dhe kanë siguruar gaz për një periudhë të gjatë kohore – 10, 15 vjet.

Këto kontrata kanë pasur lloje të ndryshme të kushteve. Siç është, për shembull, që nuk lejohet stërshitja e gazit, çmimi i gazit formohet në raport me çmimin e naftës dhe parametrave të tjerë.

Këto gjëra kanë ndryshuar veçanërisht me rregulloret evropiane, me paketën e tretë të energjisë të vitit 2009, kur Komisioni Evropian tha, ne i lamë këto kontrata afatgjata të skadojnë dhe kur këto kontrata të përfundojnë, atëherë kompanitë do të inkurajojnë Gazpromin të nënshkruajë kontrata afatshkurtra. Këtu bëhet fjalë për konkurrencë, sepse në qoftë se keni kontrata afatgjata, atëherë nuk ka edhe aq konkurrencë.

Ju jeni të dënuar me dikë dhe kaq.

Tash Putini flet, keni bërë gabim të madh, për Evropën do të ishte mirë që të sigurojë kontrata afatgjate dhe jo të blini “aty për aty”. Por, në kushtet aktuale, kur vitin e kaluar kishim çmime rekord të ulëta, ndërkaq këtë vit kemi çmime rekord të larta, ajo që na thotë tregu është që fleksibiliteti është më i rëndësishmi.

Kështu që, ju nuk doni të jeni të dënuar me një kontratë afatgjatë, sepse gjithçka mund të ndodhë. Rreziku gjeopolitik është rritur, kërkesa është e lartë kudo dhe ajo që ata duan është një kontratë elastike që u jep klientëve aftësinë për të ndryshuar mundësitë e blerjes së formës aty për aty, nga tubacionet ose gazi natyror i lëngshëm (LNG) – që të kenë mundësi për reagim të shpejtë në raport me atë që po ndodh.

Tash ekziston rreziku që Rusia të thotë, pavarësisht nga “Rrjedha Veriore 2” dhe lëshimit të certifikatave për këtë tubacion gazi, ne gjithashtu duam ndryshim në strukturën e plotë të tregut evropian. Kjo do ta bënte situatën shumë më të vështirë, sepse kjo do të kthente prapa tregun evropian, të paktën për 12 vjet. Konsideroj që ky është rrezik i madh.

Radio Evropa e Lirë: Ju sqaruat se si ky gazsjellës do të shndërrohej në një mjet gjeopolitik për Rusinë. A mund të shpjegoni shkurtimisht se cila është çështja në lidhje me miratimin nga BE-ja të “Rrjedhës Veriore 2” dhe pse Rusia po ushtron presion në mënyra të ndryshme?

Aura Sabadus: “Rrjedha Veriore 2” duhet të marrë disa miratime. Një prej tyre është miratimi teknik që gazsjellësi mund të punojë i papenguar. Kjo është procedurë standarde. E dyta, që është pak më e komplikuar, është certifikimi nga pikëpamja e rregullores.

Në kuadër të ndryshimit të udhëzimit evropian të vitit 2009, amendamenti erdhi në vitin 2019.

Pjesa shpërndarëse e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2” do të duhet të jetë e ndarë nga pjesa e shitjes, nga pjesa tregtare e gazsjellësit.

Rregullorja thotë se këto dy anë duhet të ndahen. Diskutohen modele të ndryshme, por ajo që preferon BE-ja quhet “pronësi e ndarë”, ku të gjitha pjesët do të ishin të pavarura. Kështu që do të ishte një operator i pavarur i një pjese të linjës së shpërndarjes dhe një pjesë e veçantë tregtare e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”.

Ky ka qenë amendamenti. Gazpromi ka dorëzuar disa dokumente (Bundesnetzagentur, Agjencisë federale gjermane për energji dhe gaz) tek organi rregullator gjerman, por njëkohësisht në zhvillim e sipër është rasti gjyqësor në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (CJEU), për shkak se Gazpromi e ka kontestuar këtë amendament në një udhëzues të BE-së. Tani jemi në pritje të vendimit.

Por, nga ana tjetër, ekziston një lëvizje befasuese e Komisionit Evropian. Do të thotë, prokurori i përgjithshëm, Michal Bobek, para dy javësh doli dhe tha se ne nuk duhet ta aplikojmë këtë amendament për Gazpromin dhe dha një sërë arsyesh se pse.

Asgjë nuk është përfundimtare, ky nuk është një aktgjykim, por është interesante që prokurori i përgjithshëm ndërhyri për të thënë se Gazpromi nuk ka pse të ndajë (shpërndarjen dhe shitjen) gazsjellësin.

Ndarja do të ishte e rëndësishme, sepse – kjo krizë na tregoi se sa është e rëndësishme që plotësisht ta kuptojmë atë që po ndodh.

Por, nëse nuk ka ndarje, në qoftë se Gazpromi nuk është i obliguar sipas rregullave evropiane, mbase nuk do të dimë se çfarë po ndodh, sepse nuk do të ketë transparencë, nuk do të ketë konkurrencë. Qëllimi i zbatimit të këtyre rregullave është që të nxitet konkurrenca, transparenca. Për t’i lejuar kompanitë të shohin saktësisht se sa gaz vjen, me çfarë çmimesh etj., ka shumë aspekte komerciale.

Por, nëse gazsjellësi përjashtohet nga rregulloret, atëherë ne nuk do të jemi në gjendje të dimë asgjë. Në fakt, do të forcojë edhe më tej pozicionin e Gazpromit në tregun evropian. Ndërkaq, ajo që na duhet, nga pikëpamja jonë evropiane është që Gazpromi t’i respektojë këto rregullore dhe që ne të jemi plotësisht të vetëdijshëm për atë që po ndodh.

Asnjë kompani, qoftë Gazpromi apo ndonjë furnizues tjetër, nuk mund ta vendosë Evropën në pozitën e pengut, në një krizë së këtillë. Ky është mësimi që të gjithë duhet ta mësojmë.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni paketën e propozimeve të Bashkimit Evropian të paraqitura më 13 tetor, me synimin për të ndihmuar anëtarët në luftën kundër krizës aktuale energjetike? Cilat janë opsionet e tjera të Evropës dhe si mund t’i rezistohet Rusisë?

Aura Sabadus: Janë disa ide në qendër të vëmendjes. Nuk mendoj se i kanë përfunduar ato, por thjesht, siç e thatë, propozuan një paketë masash.

Një nga ato ide është që Evropa të blejë kolektivisht. Unë e shoh këtë si problem, sepse kjo është ide që u propozua fillimisht nga polakët, pastaj dështoi dhe tani po diskutohet përsëri për të. Pyetja ime është se kush do të blejë atje? Tani janë kompanitë që blejnë, jo qeveritë. Nëse do të kishte një blerës kolektiv për Evropën, kush do të ishte ai blerës?

Kur ju vini me një ide të tillë, fillimisht duhet ta sqaroni atë. Tani është e paqartë se kush është ai blerës.

Gjëja tjetër është se ata duan të formojnë rezerva strategjike. Mendoj se kjo është një ide e mirë. Pra, që të koordinohet me shtetet anëtare mbi kuotat dhe sa duhet kompanitë e gazit që t’i dorëzojnë gaz për rezerva. Mendoj se kjo është ajo që e bënë tregtarët pas luftërave të naftës. Ata krijuan një rezervë strategjike të naftës. Rezultati i ngjarjeve të këtij viti ndoshta do të jetë i njëjtë.

Në fakt, ukrainasit thanë se Evropa mund të përdorë objektet e tyre për vendosje, sepse kanë kapacitete më të mëdha – 31 miliardë metra kub. Kjo është një mundësi e mirë për integrimin e tregjeve ukrainase dhe evropiane. Kjo është së dyti.

Së treti, është ndarja e çmimeve të gazit nga çmimi i energjisë elektrike. Po përpiqem të kuptoj se si mund të bëhet kjo.

Por, nëse e bëjnë këtë, kjo do të dekurajonte përdoruesit përfundimtarë. Në qoftë se ata përpiqen të kalojnë disa elemente nga energjia elektrike në gaz. Me sa kuptoj unë, kjo është që ata duan t’i zvogëlojnë faturat e energjisë elektrike dhe të rrisin pak faturat e gazit, për të inkurajuar kompanitë të përdorin më shumë energji elektrike sesa gaz. Kjo do të mund të ndëshkojë prodhuesit e gazit dhe kompanitë që në mënyrë afatgjate përdorin gaz. Kjo, do të thosha, është plotësisht në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër (Green Deal), por pres që kundër kësaj do të lobohet fuqishëm. Sa i përket Ukrainës, mendoj se duhet të merret parasysh sepse do të jetë problem nëse lihet pa gaz.

Bashkimi Evropian me të vërtetë duhet të punojë me Ukrainën në të dy drejtimet – mbështetje për Ukrainën dhe negociata me Rusinë për të siguruar një marrëveshje afatgjatë, për arsyet që shpjegova – sepse, vetëm me “Rrjedhën Veriore 2” ndoshta nuk do të ketë gaz të mjaftueshëm për Evropën Qendrore dhe Lindore.

Dhe, gjithashtu, për të ndihmuar Ukrainën në negociatat me Sllovakinë për t’u siguruar që ajo të ketë kapacitete të mjaftueshme që gazi të arrijë në Ukrainë nga Perëndimi.

Dy javë më parë, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel shkuan në Ukrainë dhe premtuan mbështetjen e tillë. Kjo është shumë e rëndësishme, deklarata që dhanë ishte e fortë për t’u befasuar. Nuk kam menduar se do të ishte aq e fortë, por u befasova kur pashë që ata ofrojnë atë lloj mbështetjeje.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se këto sanksione, të cilat tashmë janë futur dhe që tashmë janë në fuqi, por edhe ato që janë paralajmëruar, do të jenë të mjaftueshme për të siguruar pozicionin e Ukrainës?

Aura Sabadus: Sanksionet aktuale u diskutuan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Është një proces i gjatë. Mendoj se duhet ta diskutojnë para fundit të vitit, nuk jam i sigurt, por mendoj se gjithçka vjen në pako. Në fund, presidenti Biden duhet t’i miratojë ato. Sinqerisht, nuk i vari shpresat në sanksionet amerikane. Ajo që shpresoj është që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja do të mbështesin Ukrainën në ruajtjen e marrëveshjes aktuale, sepse rreziku më i madh është që sapo “Rrjedha Veriore 2” të vihet në punë, rusët do të thonë – kjo është ajo, ne po e riorientojmë të gjithë gazin në “Rrjedhën Veriore 2”. Kështu kanë bërë me Hungarinë, më 1 tetor, ata ndryshuan transitin përmes Ukrainës në Hungari, përmes Rrjedhës Turke.

Kështu që, SHBA-ja dhe Gjermania duhet të mbështesin Ukrainën në këtë kuptim, sepse siguria e Ukrainës është siguria e Evropës Lindore.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img