Gjuha, kultura dhe traditat shqiptare vazhdojnë të bashkojnë brezat në mërgim, duke dëshmuar rëndësinë e ruajtjes dhe të kultivimit të identitetit kombëtar.
Në një atmosferë festive, plot emocione, gëzim dhe krenari kombëtare, Shkolla Shqipe “Naim Frashëri” në Nyon shënoi Festën e 28 Nëntorit, duke bashkuar nxënës, mësuese, prindër, bashkatdhetarë dhe mysafirë të nderuar.
Në qendër të kësaj feste ishin nxënësit e shkollës shqipe, të cilët, me përkushtimin e tyre, dëshmuan dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare.
Me praninë e tyre, këtë mbrëmje e nderuan Diana Cakolli, përfaqësuese e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë, Musa Kamenica, deputet i Parlamentit të Kantonit Vaud, prof. Besnik Pajaziti, i cili kishte ardhur enkas nga Kosova, si dhe Saranda Ademi, përfaqësuese e Forumit “Liria”.

Atmosferën festive e pasuruan këngëtari Bardh Ramadani, Gold Band dhe Shoqëria Kulturore Artistike “Ilirët” nga Lozana.
Me këtë rast, drejtuesit e shkollës shprehën mirënjohjen e tyre për nxënësit, mësueset, koreografët, prindërit, vullnetarët dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj feste. Një falënderim i veçantë iu drejtua Shoqatës Shqiptare në Nyon dhe rrethinë për bashkëpunimin dhe mbështetjen në organizimin e kësaj mbrëmjeje.
Përtej karakterit festiv, ky organizim nxori në pah edhe një herë rolin e rëndësishëm të shkollës shqipe në mërgim, jo vetëm në mësimin e gjuhës amtare, por edhe në përcjelljen e vlerave kulturore, historike dhe kombëtare te brezat e rinj.
Përkushtimi i mësueseve, mbështetja e prindërve dhe bashkëpunimi i komunitetit shqiptar mbeten shtylla të rëndësishme për vazhdimësinë e arsimit shqip në diasporë.
Festa e 28 Nëntorit në Nyon ishte një dëshmi e bukur se dashuria për gjuhën, kulturën dhe atdheun nuk njeh kufij.





