Shteti social vetëm në letër – punëtorët pa mbrojtje!
Në vetëm shtatë muaj të vitit 2025, 18 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës në Kosovë. Çdo dy javë, një jetë shuhet në heshtje. Tragjedi që nuk ndalin, dhe një shtet që nuk reagon.
Ironikisht, kjo po ndodh nën një qeveri që e quan veten “socialdemokrate”, por që ka shuar plotësisht Ministrinë e Punës – institucionin kyç që duhej të mbronte të drejtat dhe jetën e punëtorëve.
Si mund të ketë drejtësi sociale pa një institucion për punëtorët?
Kjo është jo vetëm një papërgjegjësi politike, por një regres i qartë institucional dhe ideologjik. Socialdemokracia pa mbrojtje të punëtorëve është vetëm një slogan i zbrazët!
Një pushtet që e merr seriozisht sigurinë dhe dinjitetin e punëtorit, nuk do të lejonte këtë gjendje alarmante. Do të duhej që urgjentisht të:
🔴 Rikthente Ministrinë e Punës si zë i punëmarrësve brenda qeverisë;
🔴 Themelonte Gjykata të Punës për zgjidhjen e shpejtë dhe të drejtë të konflikteve punëtore – siç ndodh në Gjermani, Francë apo Austri;
🔴 Krijonte Qendra Këshilluese për punëtorët, veçanërisht për të rinjtë, të papunët dhe ata sezonalë – për ndihmë ligjore, psikosociale dhe sindikale;
🔴 Siguronte përfaqësimin e sindikatave në politikat publike për tregun e punës dhe sigurimet sociale.
Pa këtë infrastrukturë, çdo fjalim për drejtësi sociale është hipokrizi.
Shteti social nuk ndërtohet me fjalë dhe emocione, por me ligje dhe institucione funksionale.
Sa jetë tjera duhet të humbin që shteti të zgjohet?