0.8 C
Geneva
Tuesday, January 20, 2026

S‘ka dhe s’mund të ketë komb kosovar (Kundër ideve komb-ndarëse të N.Spahiut)

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Vështrim mbi librin e autorit Xhevat Hasani, botuar nga shtëpia botuese “Prointegra.ch”

Cyrih 2025

Debati artificial rreth të ashtuquajturit “komb kosovar” është ndër çështjet më të ndjeshme dhe më të polemizuara të diskursit publik shqiptar pas çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së saj. Libri që kemi në shqyrtim hyn drejtpërdrejt në këtë debat, duke marrë një qëndrim të qartë kundërshtues ndaj idesë së krijimit të një identiteti të veçantë kombëtar kosovar dhe duke e trajtuar atë si një konstrukt artificial, pa bazë historike, etnike apo sociologjike.

Libri i autorit Xhevat Hasani paraqet një analizë polemike dhe artikuluar në mënyrë pragmatike mbi një nga debatet sa të ndjeshme qa edhe të panevojshëm të diskursit politik në Kosovën e pasluftës: çështjen e ashtuquajturit “komb kosovar”. Autori e ndërton veprën si kundërvënie të drejtpërdrejtë ndaj ideve që mbështesin krijimin e një identiteti të veçantë kombëtar kosovar, duke argumentuar se një koncept i tillë është artificial, i pabazuar shkencërisht dhe potencialisht çorientues për kombin shqiptar në tërësi.

Ky libër është një ese politiko-kombëtare me karakter polemik dhe paralajmërues, i krijuar si kundërvënie e drejtpërdrejtë ndaj idesë së krijimit të “kombit kosovar”. Autori me të drejtë e sheh këtë ide si artificiale, të rrezikshme dhe potencialisht shkatërruese për kombin shqiptar në tërësi. Në thelb, libri nuk është thjesht kritikë ndaj disa individëve (Nexhmedin Spahiu, Halil Matoshi etj.), por është mbrojtje e konceptit të kombit shqiptar si komb mono-etnik, historikisht i pandarë, i cili padrejtësisht është copëzuar në disa shtete dhe nuk duhet të lejohen edhe copëzime tjera në çfarëdo fushe qofshin ato

Qasja e autorit në këtë libër, mbështetet në një kombinim të argumenteve etnike, historike, sociologjike, politike dhe teorike mbi kombin. Një nga tezat themelore të librit është se shqiptarët e Kosovës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë organike e kombit shqiptar dhe se procesi i shtet formimit të Kosovës nuk përbën bazë të mjaftueshme për krijimin e një kombi të ri. Autori me të drejtë thekson se në rastin e shqiptarëve të Kosovës nuk ka ndodhur ndonjë përzierje e gjerë demografike apo transformim kulturor që do të mund të prodhonte një identitet të ri kombëtar, por kemi pasur një hegjemoni serbe ndaj një pjese të kombit i cili është ndarë padrejtësisht nga trungu amë.

Në mënyrë të veçantë, libri argumenton se krijimi i “kombit kosovar” do të kishte pasoja të njëpasnjëshme negative jo vetëm në raportin Kosovë–Shqipëri, por edhe brenda vetë Kosovës dhe në hapësirat e tjera shqiptare në Ballkan, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Autori i këtij libri e sheh këtë proces si një faktor potencial të fragmentimit të mëtejshëm të identitetit politik dhe kulturor të shqiptarëve të ndarë në disa njësi shtetërore.

Një dimension tjetër i rëndësishëm i analizës është vendosja e çështjes në kontekstin gjeopolitik rajonal. Autori argumenton se kombi shqiptar, për shkak të pozicionit historik dhe gjeografik, mbetet një nga kombet më të rrezikuara në Ballkan dhe se çdo ndarje e brendshme do të shërbente interesave strategjike të shteteve fqinje me pretendime territoriale ose historike ndaj hapësirave shqiptare. Në këtë kuadër, ideja e “kombit kosovar” trajtohet si një faktor objektivisht i cili do të dobësonte pozitën kolektive shqiptare.

Gjithashtu libri i kushton vëmendje të veçantë analizës së teorive klasike mbi kombin, duke dalluar ndërmjet koncepteve franceze të kombit, të lidhura me shtetin dhe vullnetin politik, dhe teorive gjermane, të bazuara në përkatësinë etnike, gjuhësore dhe kulturore. Autori argumenton se teoritë franceze janë të zbatueshme kryesisht për kombet shumëetnike, ndërsa rasti shqiptar përfaqëson një komb monoetnik, për të cilin janë më të përshtatshme teoritë gjermane. Në këtë kontekst, përdorimi i teorive franceze për të legjitimuar “kombin kosovar” vlerësohet si metodologjikisht i pasaktë.

Kombi dhe shteti nuk janë kategori identike. Një popull mund të ketë shtet të pavarur pa ndryshuar përkatësinë e tij kombëtare. Shqiptarët e Kosovës ishin dhe mbeten pjesë e kombit shqiptar edhe pas shpalljes së pavarësisë. Pretendimi se ata janë “tjetërsuar” ose duhet të tjetërsuar në një “komb kosovar” nuk mbështetet në asnjë fakt empirik. Përkundrazi, shteti i Kosovës nuk pengohet nga fakti se shumica e qytetarëve të tij kanë përkatësi kombëtare shqiptare. Ajo që do ta dëmtonte funksionimin e shtetit janë pikërisht krijesat fiktive dhe jo objektive, si ideja e një “kombi kosovar” të imponuar artificialisht, pa bazë reale në vetëdijen kolektive.

Një pjesë e veprës gjithashtu i kushtohet analizës së dokumenteve ndërkombëtare dhe kushtetuese, përfshirë Planin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës. Autori argumenton se këto dokumente nuk e njohin ekzistencën e një “kombi kosovar”, por e pranojnë realitetin e një shoqërie shumetnike brenda një shteti të ri, ku shqiptarët përbëjnë shumicën dhe mbeten pjesë e kombit shqiptar. Po ashtu, ai kundërshton pretendimin se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kushtëzohet me krijimin e një identiteti të ri kombëtar.

Autori thekson se: As SHBA-ja, as BE-ja dhe as faktorë të tjerë ndërkombëtarë nuk e kanë kushtëzuar kurrë pavarësinë apo njohjen e Kosovës me krijimin e një kombi të ri; Kritikat e Perëndimit ndaj Kosovës lidhen me reformat, korrupsionin dhe sundimin e ligjit, jo me identitetin kombëtar të shqiptarëve; Pretendimi se “kombi kosovar” është kërkesë ndërkombëtare cilësohet si manipulim ose mashtrim intelektual.

Në aspektin kritik, libri karakterizohet nga një ton i fortë polemik dhe normativ, që në disa raste mbizotëron mbi distancën akademike. Megjithatë, kjo qasje nuk e zbeh vlerën e tij si kontribut në debatin publik dhe shkencor, pasi vepra synon më shumë ndërgjegjësimin dhe mobilizimin intelektual sesa neutralitetin deskriptiv. Argumentet e paraqitura janë të strukturuara qartë dhe mbështeten në një logjikë koherente, edhe pse disa prej tyre do të mund të përfitonin nga një trajtim më i gjerë empirik.

Në përfundim, libri përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në diskutimin mbi identitetin kombëtar, shtet formimin dhe raportin ndërmjet kombit dhe shtetit në kontekstin shqiptar. Ai ofron një perspektivë kritike ndaj ideve të pabaza dhe shërben si një tekst nxitës për debat akademik, duke e vendosur çështjen e “kombit kosovar” në një kornizë më të gjerë historike, teorike dhe strategjike./Avni Azizi/

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img