Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi, priti në një takim pune anëtarët e Kryesisë së Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Gjenevës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e rolit të rinisë shqiptare në Zvicër.
Takimi u zhvillua në ambientet e Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë dhe u fokusua në diskutime rreth angazhimit të studentëve në aktivitete akademike e kulturore, si dhe mundësive për projekte të përbashkëta që promovojnë Kosovën, identitetin kombëtar dhe përfshirjen e të rinjve në jetën shoqërore.
Gjatë bashkëbisedimit, Kabashi vlerësoi lartë energjinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e studentëve, duke theksuar se roli i rinisë shqiptare në Zvicër është thelbësor për pasqyrimin e vlerave tona në arenën ndërkombëtare. Ajo ritheksoi se Konsullata mbetet e hapur për të mbështetur çdo nismë që kontribuon për komunitetin dhe imazhin e Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e studentëve shprehën mirënjohjen për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar se synojnë zgjerimin e aktiviteteve që fuqizojnë studentët shqiptarë dhe rrisin prezencën e tyre pozitive në Gjenevë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit ndërmjet institucioneve diplomatike dhe rinisë aktive shqiptare në diasporë./Alb’swiss TV/





