Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sipas të dhënave preliminare, djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe sulmi në Qendrën për Regjistrimin Civil në Zveçan ishin të qëllimshme.
Sipas tij, në Zveçan janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.
“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.
Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qentësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.
Më herët gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla bëri të ditur se pas mesnatës kanë ndodhur dy incidente në veri të vendit.
Ky lajm erdhi teksa rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – në veri të Kosovës – për të gjashtën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat.
“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe është garant i vendimeve sovrane të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkundër veprimeve të tilla do të vazhdojë me angazhim të plotë në zbatimin e vendimit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.
Ministri Sveçla ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe “të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”.
Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak
Për të gashtën ditë, dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara.
Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.
Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.
Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, të premten, më 24 shtator përmes një deklarate, i ka përgënjeshtruar informacionet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke përgatitur trupa për ndërhyrje në veri të Kosovës.
“Dezinformatat se kinse FSK-ja është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.
Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.
Sa i përket situatës në veri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë në dialog.
“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë Escobar.
Ai është shprehur së është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë forca speciale në një vend ku është KFOR-i.
“Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.