A po e humb Challandes kontrollin mbi ekipin kombëtar të Kosovës?
Leart Paqarada u bë lojtari i tretë brenda disa muajve që largohet nga Kombëtarja e Kosovës për një arsye apo tjetër për shkak të trajnerit Bernard Challandes, të cilit duket sikur po i ikën nga dora ekipi kombëtar dardan.
Paqarada njoftoi të dielën se është tërhequr përkohësisht nga Kombëtarja e Kosovës, për shkak të qëndrimit të trajnerit Challandes ndaj tij, duke e akuzuar zviceranin për mungesë respekti dhe për injorim, raporton Gazeta Express.
Por Paqarada është vetëm njëri nga dy futbollistët që shprehën pakënaqësitë me sjelljen dhe qëndrimin e 69-vjeçarit ndaj tyre në muajt e fundit.
Çfarë ka ndodhur?
Kur u emërua trajner i Kosovës si pasues i Albert Bunjakut në mars të vitit 2018, Challandes e ndryshoi frymën në ekipin kombëtar duke e krijuar një ekip të bashkuar që ra në sy në botën e futbollit, duke u promovuar në Ligën C nga kategoria e fundit në Ligën e Kombeve dhe duke e arritur play-off’in për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020 e duke e bërë një fushatë të parë mbresëlënëse kualifikuese për Euro 2020.
Para një ndeshjeje kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi, nisën telashet për Challandes.
Edon Zhegrova dhe Benjamin Kololli u përleshën në stërvitje para se të ndaheshin falë ndërhyrjes së ndihmëstrajnerit të atëhershëm, Muharrem Sahiti dhe menaxherit të kombëtares, Bajram Shala.
Bernard Berisha doli publikisht kundër trajnerit, duke e bërë një gjest drejtuar tij, që nënkuptonte “mbylle gojën”, menjëherë pasi shënoi gol në humbjen e Kosovës 2:1 kundër Greqisë në tetor 2020, në një ndeshje të Ligës së Kombeve në Prishtinë.
Kjo ndodhi kur Kosova po përballej me rezultate shumë të dobëta dhe Challandesit iu vazhdua kontrata nga Federata e Futbollit e Kosovës, përkundër kritikave të mëdha ndaj tij.
Si hakmarrje, Challandes nuk e fitoi Berishën – megjithëse ylli i Akhmat Grozny ishte lojtari më aktiv dhe më në formë në kohën kur ekipi kombëtar përballej me mungesa të mëdha – për ndeshjen vendimtare dhe historike të cilën Kosova e humbi kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të play-off’it për kualifikim në Euro 2020.
Bernard Berisha i reagoi Bernard Challandesit pas golit kundër Greqisë në humbjen e Kosovës 2:1 në shtator 2020
Ai u ftua sërish nga Challandes, por vetëm pasi kërkoi falje publike, në grumbullimin e radhës në nëntor.
Në grumbullimin e fundit të Kosovës për ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në mars, telashet e Challandes u shtuan. Ai e përjashtoi nga grumbulli portierin e parë Arijanet Muric për, siç tha FFK-ja mungesë disipline, dhe këmbënguli në vendosjen e portierit veteran, Samir Ujkani, mes shtyllave të Kosovës, anipse portieri i Torinos nuk është aspak aktiv për dallim nga Visar Bekaj dhe Betim Halimi.
Paqarada, mbase rasti më i ndjeshëm, u tërhoq duke e akuzuar zviceranin se po ia përdhos dinjitetin.
26-vjeçari ishte mbrojtësi më aktiv në grumbullimin e fundit të Kosovës. Ai i kishte zhvilluar si titullar të gjitha 14 ndeshjet e St. Pauli në Bundesliga 2. në vitin 2021.
Benjamin Kololli, të cilin Challandes edhe pse e ftoi si sulmuesi e aktivizoi në mbrojtje në vend të Paqaradës kundër Suedisë dhe Spanjës, luan si mesfushor sulmues për Zurich në Superligën e Zvicrës dhe vinte në formë të dobët fizike.
Kololli i kishte zhvilluar vetëm dy ndeshje para se t’i bashkohej Kosovës në vitin 2021 dhe vinte nga një lëndim i rëndë që e kishte lënë jashtë fushës që prej dhjetorit 2020.
Për më tepër, Challandes u tregua shumë i pamatur kur tha publikisht se mendon se Kololli është mbrojtës më i mirë i majtë sesa Paqarada, pasi ishte pyetur përse e kishte injoruar këtë të fundit në takimin me Spanjën.
Qëndrim shumë i pazakontë për një trajner që dëshiron ta mbajë të bashkuar ekipin e vet.