Sezoni i ngrohjes pritet të nis me 15 tetor.
Ngrohtorja e qytetit “Termokos” është e gatshme që të nisë sezonin e ngrohjes, i cili pritet të fillojë më 15 tetor. Zyrtarë të kësaj kompanie i thanë KosovaPress-it se gjithçka është gati dhe premtojnë se cilësia e ngrohjes do të jetë shumë e mirë për rreth 15 mijë konsumatorë që janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes. E qytetarët prishtinas u shprehën të kënaqur me shërbimet që i ofron ngrohtorja “Termokos”. Por thonë se të gjitha alternativat për ngrohje janë të papërballueshme për standardin në Kosovë.
Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka në një prononcim për KosovaPress, thotë se të gjitha përgatitjet që janë zhvilluar që nga përfundimi i sezonit të kaluar 20202021 kanë qenë funksionale, për një fillim të mbarë të fillimit të sezonit ngrohës.
“Ligjërisht Termokos si kompania e vetme e ngrohjes qendrore në qytetin e Prishtinës është e obliguar që të jetë e gatshme për fillimin e sezonit ngrohës më 15 tetor, pra afati i fillimit të sezonit ngrohës është 15 tetor, ndërsa përfundimi i sezonit ngrohës ligjërisht është me 15 prill të vitit vijues. Pra të gjitha përgatitjet që janë zhvilluar që nga përfundimi i sezonit të kaluar 20202021 kanë qenë funksionale për një përgatitje sa më të mirë për një fillim të mbarë të fillimit të sezonit ngrohës 20212022. Këto përgatitje janë zhvilluar sipas plani aksional që është hartuar nga departamentet përkatëse të kompanisë sonë, gjithçka ka shkuar siç është më së miri sipas planit jemi në përfundim të këtyre përgatitjeve para fillimit të furnizimit për afro 15 mijë konsumatorë”, ka thënë ajo.
Uka shpjegon se ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë edhe dy vite do të vazhdojë me ngrohjen normale të radiatorëve nëpër banesat e Prishtinës, sepse në bazë të projektit që është financuar nga Qeveria Amerikane nëpër radiatorët normalë do të vendosen disa njësorë digjitalë që do të fillojnë matjen se sa shpenzon konsumatori brenda një muaji.
Uka shton se projekti në fjalë është në vlerë 10 milionë dollarëve.
“Deri më tani faturimi i konsumatorëve tanë është kryer sipas metrit katrorë të sipërfaqeve të tyre ngrohëse nëpër ambientet e tyre banesore, por tani në saje të projektit që kemi për vendosjen e matësve të energjisë termike apo njësorëve të mençur siç po quhen tash me terminologjinë moderne. Ky është një projekt pra në vlerë të 10 milionë dollarëve të cilin e ka ndarë qeveria amerikane. Në bazë të këtij projekti i cili parasheh të zgjasë afro dy vite të gjithë konsumatorët aktualë nëpër trupat e tyre ngrohët, nëpër radiatorë do të pajisen me këta njehsorë digjital, pra ata do të faturohen për shpenzimin e energjisë termike aq sa kanë shpenzuar gjatë një muaji”, ka shtuar Uka.
E banorët e Prishtinës pavarësisht se janë të kënaqur me cilësinë e ofruar nga ngrohtorja e qytetit, ankohen për çmime të larta.
Mehmet Duçi, thotë për KosovaPress se kostoja e ngrohjes vazhdon të jetë e papërballueshme për standardin në Kosovë.
“Ne e kemi ngrohjen nga ‘Termokosi’, jemi shumë të kënaqur, kemi ngrohje të rregullt pa probleme e sidomos pas kyqjes me KEK-un nuk kemi pas problem. Do të thotë çështja e ngrohjes është e rregulluar shumë mirë. Mirëpo e vetmja gjë është për xhepin e qytetarëve, për standardin tonë endë është çmimi i lartë. Mendoj për një metër katrorë është 60 cent, sado ku do shembull një banesë mesatare do të thotë në muaj është 50-60 euro”, ka shtuar ai.
Por edhe ngrohja alternative, si me dru dhe thëngjill, po del të jetë e papërballueshme për qytetarët.
Ymer Canolli, tregon për KosovaPress se për një sezon familja e tij shpenzon rreth 15 metra dru, e ku metra sillet rreth 45 euro.
“Unë i kam marr 15 metra, një metër nga 45. Po vallahin shtrenjtë. Unë jam pensionist, qysh mundem mi la këto, por çka ke me bo. Këtu më lirë se andej 60 euro po e mbajnë një metër dru”, ka thënë Canolli.
Edhe Agim Kushtica për ngrohje përdor drutë, por që ankohet për çmime të larta. Sipas tij secili variant ngrohës del të jetë problem për kosovarët.
“Çmimet nuk janë të volitshme por qashtu po sillen, po rriten për ditë, pensionet nuk po rriten që është dukuri e shëmtuar këtu, nuk e mban kërkush në mend kur janë rrit pensionet, e këto senet tjera po shkojnë përpara. Nuk është çmimi i lirë me pelet po del më shtrenjtë, me rrymë po del më shtrenjtë. Se tash duhet me shikua variantin që del më lirë”, ka thënë ai