Deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Republikës së Serbisë, Snežana Paunović, se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, përbën një nga prononcimet më tronditëse të bëra kohët e fundit nga një përfaqësuese e lartë shtetërore në Ballkan.
Ky nuk është një qëndrim i zakonshëm politik dhe as një opinion që mund të arsyetohet me lirinë e shprehjes. Është shprehje publike e përkrahjes së dëbimit të një popullsie mbi baza kombëtare dhe etnike, si dhe rehabilitim i hapur i politikave kriminale që gjatë viteve 1997–1999 sollën vrasje, masakra, dhunime, djegie të vendbanimeve dhe dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova.
Kur një ministre e një qeverie deklaron se do të kishte kryer një spastrim etnik edhe më të plotë se ai i regjimit të Millosheviqit, fjala nuk është më vetëm për retorikë nacionaliste.
Kemi të bëjmë me një mesazh kërcënues ndaj shqiptarëve të Kosovës, me nxitje të armiqësisë etnike dhe me përpjekje për ta paraqitur dëbimin masiv të një populli si veprim të ligjshëm dhe të dëshirueshëm.
Neni 20, paragrafi 2, i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike përcakton se çdo propagandim i urrejtjes kombëtare, racore ose fetare, i cili përbën nxitje për diskriminim, armiqësi ose dhunë, duhet të ndalohet me ligj.
Po ashtu, neni 7 i Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare e njeh dëbimin ose zhvendosjen e dhunshme të popullsisë si krim kundër njerëzimit, kur ai kryhet në kuadër të një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Spastrimi etnik nuk është koncept politik, por praktikë kriminale që realizohet përmes dëbimit, përndjekjes, terrorit dhe dhunës.
Edhe standardet e Këshillit të Evropës janë të qarta: liria e shprehjes nuk mund të përdoret për shkatërrimin e të drejtave dhe lirive të të tjerëve. Thirrjet që nxisin ose justifikojnë urrejtjen dhe dhunën kundër një bashkësie kombëtare nuk mund të fshihen pas mbrojtjes së fjalës së lirë.
Veçanërisht shqetësues është fakti se një deklaratë e tillë vjen nga një ministre që ushtron autoritet shtetëror. Pozita e saj ia shumëfishon peshën dhe ndikimin prononcimit. Ajo nuk foli si qytetare private, por si anëtare e Qeverisë së Serbisë, vend që ende nuk është përballur sinqerisht me krimet dhe përgjegjësitë e regjimit të Millosheviqit.
Për këtë arsye, Snežana Paunović duhet të pezullohet menjëherë nga detyra dhe të shkarkohet nga posti ministror. Organet kompetente të drejtësisë në Serbi duhet të hapin urgjentisht hetime për të përcaktuar nëse deklarata e saj përmbush elementet e nxitjes së urrejtjes, armiqësisë ose dhunës kombëtare dhe etnike.
Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, Kombet e Bashkuara, OSBE-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare nuk duhet ta kalojnë këtë rast në heshtje. Një shtet që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk mund të mbajë në post ministror një person që mbron publikisht spastrimin etnik të një populli.
Heshtja ndaj kësaj deklarate do të nënkuptonte normalizimin e gjuhës së urrejtjes dhe inkurajimin e forcave që vazhdojnë të ëndërrojnë rikthimin e politikave të viteve nëntëdhjetë.
Ballkani e ka paguar shumë shtrenjtë ideologjinë e Serbisë së Madhe. Varret masive, familjet e zhdukura, gratë e dhunuara, fëmijët e vrarë dhe qindra mijëra të dëbuar janë dëshmi të asaj që ndodh kur urrejtja shtetërore tolerohet dhe shndërrohet në program politik.
Prandaj, deklarata e Snežana Paunović duhet të dënohet fuqishëm, pa ekuivoke dhe pa relativizim. Evropa dhe bota demokratike duhet të dëshmojnë se thirrjet për spastrim etnik nuk kanë vend as në institucionet shtetërore, as në jetën politike dhe as në shoqërinë evropiane.
Arif Ejupi
Gjenevë, 14 korrik 2026





