fbpx
18.8 C
Geneva
Monday, September 30, 2024

Trembëdhjetë ditë bllokade në Jarinje dhe Bërnjakë, gjithçka çfarë ndodhi të shtunën gjatë largimit të barrikadave dhe Njësisë Speciale nga veriu

Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë që lidhin Kosovën me Serbinë, për trembëdhjetë ditë qëndruan të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat e veturave nga Serbia.

Serbët kishin bllokuan rrugët me kamionë dhe automjete të tjera, ndërkaq në këto pika ishin vendosur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Beogradi dërgoi aeroplanë luftarakë afër kufirit me Kosovën.

Kujtojmë se disa ditë pas vendosjes së masës së reciprocitetit dhe vendosjes së barrikadave në rrugën e këtyre pikave kufitare në Zubin Potok e Zveçan kishte pasur sulme ndaj Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve.

E gjithë kjo ngjarje që solli tensionet më të larta mes Kosovës dhe Serbisë, në vitet e fundit, ka përfunduar të shtunën (2 tetor) me largimin e barrikadave dhe tërheqjen e njësive speciale policore nga veriu.

Situata për dy javë rresht në këto pikë kalime kufitare do të monitorohet nga pjesëtarët e KFOR-it, kjo sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel më 30 tetor, në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se, nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, ky mision do të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe me mandatin që ka.

I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe e quajti “përparim të mirë nga Kosova dhe Serbia” zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për zhbllokimin e dy pikave kufitare në veri të Kosovës.

“Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, në dy javë ne presim që operacionet kufitare të kthehen në normalitet. Është koha për të shfrytëzuar këtë momentum dhe për të rifilluar dialogun”, ka shkruar Giacobbe.

Për situatën në veri, pas largimit të barrikadave dhe Njësisë Speciale, u deklarua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sveçla u shpreh se epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Beogradi dhe Brukseli.

“Sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me çdo kusht. Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses”, ka shkruar Sveçla.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka thënë se rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim dhe se gjendja i është kthyer normalitetit.

“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftim.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Këto janë pikat kryesore të marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Bruksel:

-Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.

– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.

– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img