Në veri të vendit situata është më e qetë.
Situata në Bërnjak është e qetë siç ka qenë gjatë tërë ditës, ashtu si edhe natën e mbrëmshme.
Marrëveshja e arritur sot mes Kosovës dhe Serbisë për targat në Bruksel nuk e ka ndryshuar situatën në këtë pikë kufitare në veri të vendit.
Aty po vazhdon protesta, derisa për shkak të temperaturave më të ulëta dhe reshjeve më intensive të shiut numri i protestuesve gjatë ditës ka qenë më i ulët.
Në ndërkohë, siç tashmë është bërë ‘zakon’ gjatë ditës në tenda qëndrojnë gratë, derisa kur bie terri vijnë burrat.
Lëvizjet e protestuesve serbë janë tejet të kufizuara, derisa secila lëvizje vëzhgohet nga policët e Njësisë Speciale.
Edhe në pikën kufitare në Bërnjak ka qenë situatë e qetë dhe nuk ka pasë lëvizje të shumta të qytetarëve serbë. Deri në mesditë kanë qenë dy gra boshnjake, të cilët kanë plotësuar kriteret për masat kundër COVID-19, që kanë hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia. Të njëjtat janë larguar më pas nga Kosova për në Serbi, derisa për Klan Kosovën kanë deklaruar se nuk kanë asnjë informacion për zhvillimet politike dhe as për marrëveshjen e sotme në Bruksel, raporton Klan Kosova.
Ato kanë thënë se kanë ardhur në Kosovë për të kryer disa procedura në universitetin në Mitrovicë të Veriut.
Përpos monitorimit të situatës nga policët e Njësisë Speciale tash e disa ditë në Bërnjak patrullojnë edhe ushtarët e KFOR-it, si edhe policët e EULEX-it.