fbpx
16.6 C
Geneva
Thursday, October 31, 2024

Votë për program e jo për parti

“Gënjeshtrave më nuk iu besojmë” dhe “votuam për programin, jo partinë apo kandidatin”. Këto janë vlerësimet e para të disa qytetarëve në Prishtinë, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, një ditë pas zgjedhjeve lokale dhe publikimit të rezultateve preliminare. 

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), sipas rezultateve preliminare, nuk ka arritur të fitojë në asnjë komunë të Kosovës në zgjedhjet lokale, derisa do të garojë në balotazh në 12 komuna.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar katër komuna pa balotazh. Në Mitrovicën e Jugut, Bedri Hamza ka mposhtur Agim Bahtirin e LVV-së, i cili për tetë vjet ishte kryetar i kësaj komune.

Në Ferizaj ka fituar sërish Agim Aliu, derisa PDK-ja ka arritur ta rikthejë bastionin e vetë, Skenderajn.

Fadil Nura mundi kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin, që ishte kandidat i pavarur.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur të fitojë sërish komunat në të cilat ka qeverisur. Gazmend Mahaxheri në Pejë dhe Imri Ahmeti në Lipjan, fituan në komunat ku qeverisin. 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka arritur të fitojë në Suharekë dhe Deçan, komuna këto të qeverisura nga kjo parti. Bali Muharremaj në Suharekë dhe Bashkim Ramosaj në Deçan, fituan pa balotazh.

Partia serbe, Lista Serbe, ka fituar më së shumti komuna në këto zgjedhje lokale.

Kjo parti ka arritur të fitojë në plot nëntë komuna, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.

Rezultatin e zgjedhjeve lokale të një dite më parë, qytetarët e kanë parë si një ndryshim pozitiv për komunat dhe vendin në përgjithësi.  

Sipas tyre, qytetarët kanë arritur që përfundimisht të votojnë për programet politike dhe jo për subjektet apo kandidatët që garuan.

Arnisa Kryeziu nga Prishtina me profesion arkitekte, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët me votën e tyre po tregojë saktë se çfarë ndryshimesh duan.

“Unë fillimisht duke hedhur një paralele edhe prej zgjedhjeve qendrore që ishin, ajo ka qenë një shenjë për mua shumë e mirë, që ne veç kemi filluar të kërkojmë atë që duam”, thotë Kryeziu.

“Zgjedhjet lokale i kam pritur pak më ndryshe, jam befasuar në disa raste. Mirëpo, çka është e mirë është se njerëzit po duan më të mirën për qytetin pa marrë parasysh kush është kandidati ose cilës parti i takon. Që është gjë e mirë dhe do të thotë kemi nevojë për ndryshime në qytete dhe përgjithësi”, shton ajo.    

Ridvan Turbetari, ekonomist, thotë se pavarësisht asaj se kush ka fituar në cilëndo komunë, në përgjithësi nuk pret që të realizohen premtimet e dhëna nga kandidatët. Megjithatë, ai thotë se ndryshimet janë të nevojshme kudo.

“Te zgjedhjet lokale ka ndryshime. Besoj se personi i cili është kandidat ndikon te rezultatet”, u shpreh ai.  

Kurse, Orhan Llapashtica, tregtar, thotë se qytetarët nuk janë duke i pranuar më premtimet, që ai i cilëson si të kota.

“Tash, vetë qytetarët po zgjedhin. Kjo është pika e fundit. Gënjeshtrat e politikanëve nuk po i hamë më. Na pëlqen, mirë, nuk na pëlqen, nuk po e votojmë dhe u krye biseda”, u shpreh Llapashtica.

Muhamet Brajshori thotë se qytetarët kanë ditur se kë ta votojnë dhe sipas tij, votat e tyre nuk duhet të shkojnë huq.

“Vendimet me votën e qytetarëve i kam parë të arsyeshme, mirë është. Kanë votuar në mënyrë të mençur”, thotë ai.

Bukureza Demolli shprehet se këto zgjedhje janë një tregues i mirë që qytetarët nuk kanë votuar për subjektet politike, por për programet.  

“Mendoj se kemi ndryshuar dhe nuk është se po shohim partitë politike, por veç programet se çka po planifikojnë të bëjnë për vendin apo komunën. Mendoj se është më mirë se herën e kaluar”, thekson ajo.  

Edhe Rozafa Kryeziu, studente, mendon ngjashëm.    

“Po mendoj se me këtë, njerëzit po duan të ndryshojnë sepse është parë ajo që një parti një komunë e ka pasur për disa vjet, e tash po duan të shohin diçka ndryshe nga partitë e tjera, jo gjithmonë njëjtë”, u shpreh Kryeziu.    

Vigjilenca Islami thotë se qytetarët kanë ndryshuar shumë, janë vetëdijesuar dhe tash duan përmirësimin e jetës së tyre, në të gjitha komunat.

“Mendoj se kështu do ishte dashur të ishte përherë, jo të votojnë për partinë, jo për personin, por për planprogramin edhe atë çka pritet të arritet, sepse aty e kemi nevojën, do të thotë ndryshimin, inovacioni, e këto”, thotë Islami.   

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21 komuna të Kosovës do të duhet të zhvillojnë raundin e dytë të zgjedhjeve, për ta kuptuar emrin e kryetarit.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor dhe 17 komuna kanë zgjedhur kryetarët e tyre për mandatin e radhës, në raundin e parë.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë KQZ-ja duhet të organizojë raundin e dytë mes dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.

Sipas këtij Ligji, raundi i dytë mbahet katër javë pas mbajtjes së raundit të parë.  

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img