6.1 C
Geneva
Saturday, November 8, 2025

Zemërthyer por kënduan për dashurinë ndaj Shpendit

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Në përkujtim të mikut, Shpend Xhokli, i lindur më 11 korrik 1964 në Ferizaj i cili ka ndërruar jetë më 2 korrik 2024 në Gjenevë.

Ishin bërë tetë ditë prej kur që Shpend Xhokli kishte ndërruar jetë. E Shpendi, ishte ai që prej vitit 1992 që nga ardhja e tij në Gjenevë, kishte ditur të bëjë shumë miq të vërtetë.

Pos familjes, t’lumtë ata që u përkujdesën për atë në kohën kur Shpendi pati më së shumti nevojë !

Aty ku erdhëm për të shpëtuar jetën, pas shumë dekadave na gjenë edhe vdekja e pashmangshme.

Shpendi (djathtas), Dini dhe Iliri me gitarë gjat një ahengu në Gjenevë

Pas shumë dekadash në një atdhe të dytë, asgjë më nuk është si dikur. Këtu ku gërshetohet evolucioni i shoqërisë shqiptare me shoqëri nga t’gjitha anët e globit, jo vetëm ceremonitë festive, por edhe ato mortore, thyejnë kodin e riteve familjare, lokale e regjionale dhe shprehjet emocionale marrin një dimension tjetër.

Për herë të parë në Gjenevë, në shenjë ngushëllimi ndaj njëri-tjetrit, mbi njëqind persona, gjatë një pasditeje, ishin bashk. Ishin bashk për të përkujtuar mikun e tyre, pa fjalime e lutje, zemërthyer, ata kënduan!

Sa e qartë u bë thënja se: vaji i burrit është kënga!

Gra, burra, të reja e të rinjë, një Kosovë e vogël në Gjenevë, i dha lamtumirën Shpend Xhoklit.

Shpendi kishte një çiltërsi të rrallë djaloshare. Shpendin të gjithë e njihnin për modestinë që e karaterizonte mirëpo, ai nuk ishte i rezervuar për asgjë. Pa rezervë ai dinte të falë dashuri, pa rezervë ai të fliste për jetën e tij. Shpendi, nuk kursente humorin e tij plot fines që të t’i përmbushte minutat e orët në praninë e tij.

Me Shpendin, të gjithë ndjeheshin mirë sepse krejt natyrshëm ai t’bënte të ndjehesh i/e afërt e tij. Me të mund të flitej për shumë tema. Mendjehapur ishte bota e tij e sikur për t’konfirmuar këtë ai la pas, një biblotekë të rrallë librash të autorëve shqiptarë e botërorë.

Shpendi për çdo dhembje e gëzim dinte të vë emër: shtegtimin e tij nga Kosova; e kishte emruar «fat në fatkeqësi », lindjes së djalit i ishte gëzua shumë e si për ta përligjur origjinën e tij, i kishte thënë zemra quaje Lum; ai jetës i falte shumë. Shpendi, me vete gjithnjë mbante një copë atdhe e nuk dinte t’ankohej.

Miqtë e njihnin burrë të shkathët e të mbarë. Aty ku kërkohej angazhim e solidaritet ndërshoqëror, Shpendi përgjigjej i gatshëm në çdo orë.

Edhe përzgjedhja e profesionit të tij vet flet, për 25 vjet rresht, ishte « asistent social » në shërbim të njerëzve në nevojë, ndërsa kolegët e tij thonë se ai nuk dinte me u lodhë.

Nga larg fizikisht atdheun, ai e ndjente afër sepse për të bënte çfarë dinte, e jepte nga vetja e tij çfarë kishte.

Ata që e njohën Shpendin, edhe përgjatë kohës sa ai ishte prekur nga sëmundje që dot nuk i gjendet kund bar, thonë se i përkulemi, kurajos së tij të rrallë.

Agimin e pashë tek qante pa i ndrydhur ndjenjat e tij, Ilirin tek gjen ngushëllim në mijëra kujtime të ëmbla e t’hidhura nga sëmundja deri në pafundsi…

Gazmendin, të vëllanë, e pashë se ndjehej si një lis mijëvjeçarë kur e dridhë furtuna… Më tha: « E ka dashur jetën Shpendi, e sëmundjes i rrinte përballë… ajo ka rrugën e vet m’thoshte, unë mirë jam, do t’pres deri kur të mos e bajë »!

Ishin bërë tetë ditë që Shpendi na kishte lënë në këtë jetë.

Në sytë e në fytyrat e miqve të tij dhembjen e pashë. Të gjithë e kishin humbur buzëqeshjen por nuk mbanin zi. Në një këndë fotografia e Shpendit i buzëqeshur sikur iu fliste : këndoni se dhembjet më janë shuar, këndoni bash ato këngë që bashkë i kënduam.

Një Kosovë e vogël, në mërgatë, në « Qytetin e lulëzuar » mu ashtu siq i donte Shpendi shqiptarët e bashkuar, tok së bashku evokonin kujtimet më të mira. Miqtë e tij nga shumë kultura, korit i janë bashkuar, dhe po, në shenjë homazhi për Shpendin, ata kënduan.

« Kosova e vogël » zemërthyer për dashurinë ndaj Shpendit tonë këndoi në gjuhën e saj,  heshtjen e thyen baladat shqiptare, gjersa në faqet e Lumit e të dy vëllezërve të tij, lum lotësh po rrjedhte deri mbi atë buzëqeshje të Shpendit, mbi fotografi./prointegra.ch/

MLH, korrik 2024, Gjenevë

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img