12.2 C
Geneva
Wednesday, October 29, 2025

Zemra shqiptare rreh në New York – Parada tradicionale mbledh mijëra bashkëatdhetarë

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Në një atmosferë festive e plot emocione, mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora u mblodhën sot në Manhattan, New York, për të festuar paradën e përvitshme shqiptare, e organizuar nga shoqata “Albanian Roots”. Kjo ngjarje tashmë është bërë një traditë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë, duke shërbyer si një urë lidhëse mes brezave dhe kulturave.

Parada nisi me 21 qershor në orën 10:00 të mëngjesit me orën lokale, nga Central Park West & 81st Street, ku u panë flamuj kuqezi duke valëvitur krenarisht, njerëz të veshur me kostume popullore, si dhe këngë e valle shqiptare që jehonin ndër rrugët e New York-ut. Përgjatë gjithë itinerarit, pjesëmarrësit përfaqësonin qytete dhe rajone të ndryshme shqiptare, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe komunitetet arbëreshe, duke dëshmuar unitetin dhe diversitetin e shqiptarëve kudo në botë.

Pas paradës, festa vijoi në W 72nd Street, ku atmosfera u ndez nga performancat artistike, ushqimet tradicionale dhe prezantimet kulturore që përçuan hijeshinë dhe autenticitetin e trashëgimisë sonë kombëtare.

Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Eric Adams, i cili ka treguar vazhdimisht mbështetje për komunitetet e ndryshme etnike në qytet, organizoi një pritje në banesën e tij për përfaqësues të komunitetit shqiptar. Në këtë takim miqësor, ai vlerësoi rolin e shqiptarëve në jetën sociale, ekonomike dhe kulturore të qytetit të New York-ut, duke përmendur kontributin e tyre si shembull integrimi dhe suksesi në shoqërinë amerikane. Ai u shpreh se:
“Komuniteti shqiptar është një pasuri për qytetin tonë. Vlerat që sillni janë të jashtëzakonshme dhe na bëjnë të gjithëve më të fortë.”

Parada shqiptare në Manhattan nuk është vetëm një festë kulturore, por edhe një mesazh i qartë i unitetit, krenarisë kombëtare dhe ruajtjes së identitetit në diasporë. Ajo organizohet çdo vit nga aktivistë dhe profesionistë shqiptarë në SHBA, të cilët punojnë vullnetarisht për të sjellë bashkë komunitetin dhe për të promovuar trashëgiminë shqiptare në një nga metropolet më të njohura ndërkombëtarisht.

Rrënjët na mbajnë tokës, por bashkimi na çon larg” – është motoja e kësaj parade, që fton çdo shqiptar, pavarësisht vendit ku jeton, të jetë pjesë aktive e ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare.

Në një kohë kur diaspora shqiptare po zgjerohet dhe forcohet në çdo cep të botës, ngjarje si kjo në Manhattan dëshmojnë potencialin, shpirtin dhe krenarinë e një kombi që nuk harron rrënjët e tij, kudo që shkon./albswiss.com/

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img