Intervistë ekskluzive me studenten e drejtësisë dhe këngëtaren e njohur që jeton e vepron në Gjermani, Fatbardha Nikçi
Intervistoi: Dashnim HEBIBI, München
“Gruaja shqiptare e diasporës është jashtëzakonisht pak e përfaqësuar në shoqata, parti politike apo evenimente publike. Shumica angazhohen në aktivitete për fëmijë – gjë shumë e rëndësishme – por nuk mjafton. Na duhet më shumë përfshirje në vendimmarrje, përfaqësim dhe organizim”, na tha ndër të tjera Fatbardha.
Ju lutem, përshkruani profilin tuaj. Me çfarë merreni?
Kam lindur dhe jam rritur në Mynih, Gjermani. Jetoj me prindërit dhe vëllain në qytetin Emmering, afër Mynihut. Punoj si asistente në një zyrë juridike në Mynih.
Që fëmijë kam treguar pasion për muzikën: kam filluar mësimet e pianos në moshën 4-vjeçare dhe vazhdoj ende sot. Në moshën 8-vjeçare kam nisur të këndoj. Jam studente e drejtësisë. Në kohën time të lirë këndoj jazz dhe muzikë klasike, luaj tenis, vozis snowboard dhe motor.

Përveç që po studioni juridikun, ju jeni edhe këngëtare. Na tregoni pak më shumë për këtë anë të juaj?
Kam qenë pjesëmarrëse dhe e ftuar në shumë manifestime kulturore të organizuara nga shoqatat shqiptare në Bavari dhe më gjerë. Kam moderuar, kënduar e recituar në ngjarje të ndryshme edhe në Kosovë e Mal të Zi.
Këngën time të parë “Si Unë” e publikova në gusht 2022, me muzikë nga Florent Boshnjaku dhe tekst nga Luisa Boshnjaku. Po atë vit, mora pjesë në “Tirana Youth Festival” me këngën “Për Ty”, me muzikë nga Florent Boshnjaku dhe tekst nga Venera Lumani.

Kam qenë pjesë e programit të Vitit të Ri në Klan Kosova, dhe në nëntor 2023 kemi realizuar një album me 12 këngë të vjetra qytetare të riinterpretuara – të titulluar “Kangë Zemre”. Producent ishte Florent Boshnjaku dhe muzikantët përfshinin emra si Astrit Stafaj, Xhemil Gjini, Festim Fanaj e të tjerë. Albumin planifikojmë ta promovojmë edhe në koncerte të ndryshme. Pra në programin e Vitit të Ri 2022/23 kam kënduar këngë nga EP-ja ime e parë “Dashni e Verë”. Me 17 shkurt 2024 kam pasë programin tim në RTK (aty kam lancuar albumin “Kangë zemre”) dhe në 2024/25, përsëri kam qenë pjesë e programit të Vitit të Ri në KlanKosova.
Çfarë roli ka luajtur familja në ruajtjen e identitetit tuaj shqiptar?
Prindërit e mi gjithmonë kanë pasur rëndësi të veçantë për edukimin kombëtar. Çdo verë më dërgonin në Kosovë, që në moshën 5-vjeçare, për ta mësuar gjuhën dhe për të ndjerë afërsinë me kulturën dhe rrënjët tona. Ajo periudhë ka lënë gjurmë shumë të rëndësishme tek unë.
Jeni e përfshirë dhe aktive edhe në politikën gjermane. Na e përshkruani angazhimin tuaj?
Jam anëtare e partisë CSU që nga mosha 18-vjeçare. Aktualisht jam kryetare e Junge Union (JU) në qytetin tim, si dhe anëtare e kryesisë së CSU-së dhe JU-së në komunën e Fürstenfeldbruck. Jam e deleguara e CSU Emmering dhe deleguese rezervë për komunën e Fürstenfeldbruck.
Në shtator të vitit 2023 kam qenë pjesë e një delegacioni tetë-anëtarësh që përfaqësoi Bavarinë e Epërme në Parlamentin Evropian në Bruksel.

Në mars 2024 jam zgjedhur anëtare e BESA Foundation. Krahas studimeve dhe muzikës, politika më jep mundësinë të kontribuoj për integrimin, pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e shqiptarëve në shoqërinë gjermane.
Sa e ndihmuar ndiheni nga shteti amë në këtë rrugëtim?
Shteti amë ka bërë shumë për diasporën, por mendoj se gruaja shqiptare në diasporë është lënë mënjanë në strukturat shtetërore. Mungon dëgjimi i zërit të saj, mungon përkrahja konkrete dhe inkurajimi që ajo të jetë pjesë e vendimmarrjes, qoftë në kulturë, arsim apo diplomaci.
Një grua e pavarur, e edukuar dhe e suksesshme është shtylla e një shoqërie të shëndoshë. Dhe ne kemi shumë të tilla në diasporë – por fatkeqësisht, ato janë të padukshme.

A dëgjohet mjaftueshëm zëri i gruas shqiptare në diasporë?
Jo. Gruaja shqiptare e diasporës është jashtëzakonisht pak e përfaqësuar në shoqata, parti politike apo evenimente publike. Shumica angazhohen në aktivitete për fëmijë – gjë shumë e rëndësishme – por nuk mjafton. Na duhet më shumë përfshirje në vendimmarrje, përfaqësim dhe organizim.

A është mjaftueshëm e organizuar gruaja shqiptare e diasporës?
Për fat të keq, jo. Ajo shpesh është e varur nga mendimi i burrit ose i shoqërisë, dhe nuk i jepet hapësira që meriton. Po ashtu, mungon përkrahja mes vetë grave. Duhet të krijojmë një gjuhë të përbashkët, një solidaritet mes grave shqiptare të diasporës, për të ndërtuar një vetëdije të re.
Cila është struktura aktuale e familjes suaj?
Jam e pamartuar dhe jetoj me prindërit dhe vëllain tim.

Sa shpesh vizitoni Kosovën?
Disa herë në vit. Përveç lidhjes familjare, tashmë edhe aktivitetet e mia muzikore më lidhin me Kosovën dhe hapësirat shqiptare.
Kush mendoni se ka ndikuar më së shumti në avancimin e gruas në shoqërinë shqiptare?
Ka shumë gra të jashtëzakonshme në Kosovë dhe në trevat tjera që kanë kontribuar në emancipimin e shoqërisë. Por unë besoj se çdo grua e edukuar, e pavarur dhe që rrit një familje të shëndoshë, është kontribuese e drejtpërdrejtë.
A ka ndihmuar gruaja shqiptare e diasporës në çlirimin e Kosovës?
Gruaja shqiptare ka kontribuar gjithmonë, në forma të ndryshme – qoftë në prapavijë duke mbajtur familjet, qoftë me ndihma financiare apo organizime. Edhe pse unë nuk kam qenë e lindur në atë kohë, e ndjej fuqishëm atë kontribut dhe e vlerësoj lart.

A është premtuese gjenerata e re e shqiptarëve në ruajtjen e identitetit kombëtar?
Po, kemi një brez shumë premtues. Por jo në çdo familje shqiptare në diasporë u kushtohet rëndësi të barabartë edukimit dhe ruajtjes së vlerave kombëtare. Është detyra jonë si prindër e aktivistë të ardhshëm ta përmirësojmë këtë.
Ju jeni konsideruar një model frymëzimi për vajzat shqiptare në mërgatë. Çfarë ndjeni për këtë?
Faleminderit për këtë vlerësim. Nuk ka gjë më të bukur sesa të jesh inspirim për gjeneratat e reja. Dua që çdo vajzë shqiptare në diasporë të ndjejë se ka të drejtë të ëndërrojë, të ketë ambicie dhe të luftojë për vendin e saj në shoqëri.
Fjalët e fundit për lexuesit tanë?
Mos kini frikë të jeni ndryshe. Bëhuni të zëshme, të guximshme, të pavarura. Kombinoni vlerat më të mira shqiptare me mundësitë që ofron bota perëndimore. Është koha që zëri i gruas shqiptare të dëgjohet më fort – jo vetëm në Kosovë apo Shqipëri – por kudo ku jetojmë.
Ju faleminderit dhe suksese.
Ju falënderoj juve dhe gjithë stafin tuaj. Suksese edhe e gjitha të mirat.
SAM24.info