Zëvendës ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporën e Kosovës znj. Liza Gashi gjatë një konference për media së bashku me U.d. së Kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), z. Avni Kastrati deklaroi se deri më sot janë regjistruar në platformën eDiaspora 180 mijë shqiptarë që jetojnë në Diasporë.
Ajo theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në mbështetje të plotë procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave – ReKos 2024, dhe në mbështetje të ASK-së, po vazhdon procesin e regjistrimin online të pjesëtarëve të Diasporës. “Regjistrimi online i mërgatës sonë, po ndodh për herë të parë, dhe është proces i integruar në platformën ediaspora.rks-gov.net, që është iniciativë e MPJD-së për të mbështetur bashkatdhetarët tanë me shërbime të digjitalizuar, dhe njëherë për t’i afruar me vendin amë.
Ritheksova se pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë në procesin e regjistrimit të popullsisë është jashtëzakonisht e rëndësishme ngase na ofron një pasqyrë të qartë të shpërndarjes së qytetarëve tanë nëpër botë, dhe përmes kësaj një mundësi më të madhe që të përfshijmë ata, përmes të dhënave që ofrojnë, në proceset e hartimit të politikave, strategjive e shërbimeve më të mira dhe përkitazi me nevojat e tyre” tha ndër të tjera Gashi.
Nëpërmjet platformës eDiaspora, shtetasit e Kosovës mund të regjistrohen nga cilido vend i botës, duke dëshmuar përmes këtij regjistrimi se ata janë pjesë e barabartë e shoqërisë së Kosovës.
“Pjesëmarrja e mërgatës tonë në këtë proces është jashtëzakonisht e rëndësishme si për MPJD ashtu edhe për Republikën e Kosovës, ngase për herë të parë na ofron një pasqyrë të qartë për vendndodhjen e bashkatdhetarëve tanë si dhe kërkesa e tyre.
Deri tani janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë të diasporës, nga të cilët afër 50 mijë janë regjistruar në kuadër të platformës https://ediaspora.rks-gov.net” tha me tej Gashi, duke inkurajuar të gjithë bashkatdhetarët që të shfrytëzojnë mundësinë përmes platformës eDiaspora dhe të regjistrohen.