Reshjet vazhdojnë deri të martën në mëngjes, kujdes për shoferët dhe për punëtorët në terren
Dimri ka mbërritur me forcë në Zvicër. Sipas portalit “20 Minuten”, sot bie borë deri në ultësirë, ndërsa reshjet në zonat malore do të vazhdojnë deri të martën në mëngjes.
Në shpatin verior të Alpeve dhe në pjesën veriore të kantonit Graubünden, mbi 1000 metra lartësi pritet të bien nga 15 deri në 30 centimetra borë e re, ndërsa në pjesën qendrore të Graubündenit nga 10 deri në 15 centimetra.
Rrezik i madh ortekësh
Për shkak të reshjeve të vazhdueshme, autoritetet federale e kanë ngritur rrezikun nga ortekët në shkallën 4, që do të thotë rrezik i madh, për pothuajse gjithë rajonin alpin të Zvicrës. Kjo shkallë vlen të paktën deri në mbrëmjen e sotme.
Bora e re ka shkaktuar tashmë aksidente në trafik. Moti i keq solli të dielën edhe kufizime në zonën e Liqenit të Gjenevës, ku sipas Hekurudhave Zvicerane (SBB) qarkullimi u kufizua deri rreth orës 21:00.
Këshilla për bashkatdhetarët
Kush udhëton me veturë, sidomos nëpër qafa malore, duhet të kontrollojë gjendjen e rrugëve para nisjes dhe të ketë goma dimërore. Punëtorët në ndërtim, në transport dhe në punë në terren duhet të marrin parasysh vonesat dhe rrugët e rrëshqitshme.
Ata që planifikojnë të shkojnë në male, në zona jashtë pistave të sigurta, duhet t’i ndjekin njoftimet e shërbimit zviceran për ortekë dhe t’i shmangin shpatet e rrezikshme derisa rreziku të ulet.





