Begaj: pa gjuhë shqipe nuk ka atdhë, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari!

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Presidenti i Shqipërisë zhvillon bashkëbisedim me të rinjtë nga trevat shqiptare në kuadër të Ditës së Alfabetit, duke vënë në qendër ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe

Në prag të kremtimit të Ditës së Alfabetit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim dhe bashkëbisedim me të rinj nga treva të ndryshme shqiptare, të cilët janë bërë pjesë e nismës “Fol Shqip”. Takimi u përqendrua në një nga çështjet më të rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar: ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj. Gjatë bashkëbisedimit, presidenti Begaj diskutoi me të rinjtë për rolin e gjuhës në mbrojtjen e identitetit kombëtar, rëndësinë e përcjelljes së saj nga një brez te tjetri, si dhe nevojën për bashkëpunim ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht kufijve gjeografikë që i ndajnë. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Begaj përcolli një deklaratë domethënëse, duke e cilësuar gjuhën shqipe si themelin e ekzistencës dhe të identitetit shqiptar.

“Pa gjuhë shqipe nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari!”, ka shkruar presidenti Begaj, duke theksuar kështu se gjuha amtare nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një pasuri e përbashkët historike, kulturore dhe kombëtare. Ai bëri të ditur se këtë mesazh e ndau me të rinjtë nga treva të ndryshme shqiptare, të angazhuar në nismën “Fol Shqip”, të cilët i takoi me kënaqësi.

“Pata kënaqësinë t’i takoja sot”, theksoi Begaj. Nisma “Fol Shqip” merr një rëndësi të veçantë në një kohë kur ruajtja e gjuhës amtare përballet me sfida të shumta, veçanërisht te shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve etnike. Për këtë arsye, angazhimi i të rinjve në promovimin e shqipes është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e identitetit kombëtar. Dita e Alfabetit, e cila shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, rikthen në vëmendje përpjekjet e rilindësve dhe të intelektualëve shqiptarë për njësimin e shkrimit të gjuhës shqipe. Mesazhi i presidentit Begaj vjen si një thirrje për përgjegjësi të përbashkët: shqipja duhet të flitet, të shkruhet, të mësohet dhe të përcillet me krenari te brezat që vijnë. Sepse gjuha është kujtesa e një kombi, është ura që lidh brezat dhe një nga dëshmitë më të fuqishme të identitetit tonë, transmeton rtsh.

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img