Rrjetet sociale drejt kufizimit për të miturit, Shqipëria përballet me sfidën e mbrojtjes së fëmijëve në internet

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Ankthi, depresioni, bullizmi kibernetik dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dëmshme po shtojnë shqetësimin për ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët. Kufizimi i përdorimit të tyre po bëhet pjesë e diskutimeve dhe nismave në gjithnjë e më shumë vende të botës.

Rrjetet sociale mund të mos jenë më lehtësisht të aksesueshme për fëmijët dhe adoleshentët, pasi gjithnjë e më shumë shtete po shqyrtojnë ose po ndërmarrin masa për kufizimin e përdorimit të tyre nga të miturit. Shqetësimet kryesore lidhen me pasojat që ekspozimi i pakontrolluar ndaj platformave digjitale mund të ketë në shëndetin mendor dhe zhvillimin emocional të brezit të ri. Specialistët paralajmërojnë se krahasimi i vazhdueshëm me modelet e paraqitura në rrjetet sociale mund të ndikojë në vetëvlerësimin e adoleshentëve, duke nxitur ankthin, depresionin dhe pasigurinë personale. Një tjetër problem serioz mbetet bullizmi kibernetik, përfshirë ngacmimet dhe abuzimet me natyrë seksuale, të cilat mund të kenë pasoja të rënda për të miturit.

Përtej rreziqeve psikologjike dhe sociale, sfida më e madhe mbetet mënyra se si mund të zbatohet praktikisht një kufizim i tillë. Në Shqipëri, diskutimet për vendosjen e një kufiri moshe, deri në 16 apo 18 vjeç, ngrenë pikëpyetje mbi identifikimin e përdoruesve dhe kontrollin e aksesit në platformat online. Ekspertët e teknologjisë theksojnë se zbatimi i kësaj mase kërkon sisteme të posaçme verifikimi të moshës, filtra monitorimi dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për identifikimin e përmbajtjeve të papërshtatshme. Megjithatë, mbetet sfiduese të garantohet se kufizimet do të funksionojnë realisht, veçanërisht për një brez që është rritur dhe jeton në një mjedis tërësisht digjital. Specialistët e IT-së e konsiderojnë të vonuar ndërhyrjen, duke argumentuar se fëmijët duhet të mbrohen nga ekspozimi ndaj dhunës, pornografisë, krimit dhe përmbajtjeve të tjera të rrezikshme që qarkullojnë në internet pa kontroll të mjaftueshëm.

Në nivel ndërkombëtar, Australia është bërë vendi i parë që ka vendosur ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.

Masa të ngjashme janë ndërmarrë ose janë paralajmëruar edhe në disa vende të tjera, përfshirë Malajzinë, Indonezinë, Kinën dhe Brazilin. Ndërkohë, Greqia ka paralajmëruar zbatimin e kufizimeve për të miturit nën 15 vjeç nga 1 janari 2027. Edhe vende të tjera evropiane, si Spanja, Danimarka, Norvegjia, Britania e Madhe dhe Austria, kanë bërë të ditura planet për masa që synojnë kufizimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale. Debati tashmë nuk lidhet vetëm me kohën që fëmijët kalojnë para ekranit, por edhe me përgjegjësinë e shteteve, prindërve dhe kompanive teknologjike për të krijuar një mjedis digjital më të sigurt. Sfida është të gjendet ekuilibri mes mbrojtjes së të miturve dhe të drejtës së tyre për informim, komunikim dhe edukim në epokën e teknologjisë, transmeton gtema.

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img