Policia në aksion, afro 10 shoferëve iu konfiskuan patentë-shoferët vetëm sot.
Rreziku që shpesh herë paraqitet nga shpejtësia e drejtuesve të automjeteve të ndryshme në vend ka ndikuar edhe në numrin e madh të aksidenteve.
E si pasojë e këtyre aksidenteve dhe rrezikut që paraqitet te vetë pjesëmarrësit në trafik ka bërë që Policia e Kosovës në vitin e kaluar, por edhe këtë muaj të shtojë masat e ndalimit të këtyre shoferëve si dhe gjobitjes së tyre pikërisht për tejkalim të shpejtësisë.
Vetëm brenda ditës së sotme janë mbi tetë raste që janë bërë të ditura nga Policia e Kosovës, ku shoferët janë gjobitur pikërisht për tejkalim të shpejtësisë.
Një rast i tillë u raportua para tri orëve në rajonin e Mitrovicës, ku policia ka shqiptuar gjobë për ngasësin e automjetet për tejkalim të rrezikshëm në vijë të plotë.
Rasti në fjalë është identifikuar nga një qytetar dhe është pranuar fotografia e veturës përkatëse.
“Një njësi e Stacionit Policor ka arritur të identifikoj drejtuesin e automjetit dhe i ka shqiptuar gjobën prej 150 euro, dy (2) pikë negative si dhe i ka caktuar masën mbrojtëse marrjen e patentë shoferit për tre(3) muaj”, thuhet në njoftimin për media.
Një shofer tjetër është gjobitur sot në rajonin e Ferizaj.
Zyrtarët policorë kanë ndaluar shoferin i cili me automjetin e udhëtarëve shkaktoi kundërvajtje në komunikacion, saktësisht tejkalim të shpejtësisë ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h, teksa zhvilloi shpejtësi 102 km/h.
“Në lidhje me këtë policia, ndaj shoferit me inicialet D.B (M/K) i moshës 19 vjeçar i shqiptoi një gjobë sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 300 euro, 3 pikë negative dhe 6 muaj masë mbrojtëse ( heqje e patent shoferit). Ai në tërësi e pranoi kundërvajtjen e shkaktuar”, u tha nga Policia e Kosovës.
E padënuar nuk mbeti edhe dikush në Veternik.
Policia e Kosovës ka shqiptuar gjobë prej 300 euro, tri pikë negative dhe tre muaj ndalim të drejtimit të automjetit për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.
Drejtuesi i veturës njoftohet të ketë tejkaluar kufizimin e shpejtësisë në zonën ku e lejuar ishte 80 km/h dhe i njëjti po voziste në 144 km/h, shkruan lajmi.
E një person u gjobit pikërisht për të njëjtën arsye në autoudhën për Lipjan.
“Në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 120 km/h identifikohet shoferi duke drejtuar mjetin me 198 km/h (gjobitet me 300€, 3 pikë negative dhe 3 muaj i ndalohet drejtimi i mjetit me veprim motorik)”, thuhet nga policia.
Një gjobë prej 150 euro në trafik është shqiptuar edhe për drejtuesin e automjetit në rajonin e Pejës.
I njëjti theksohet të ketë thyer rregullat në trafik, shkak kjo që çoi në gjobitjen e tij.
E në flagrancë është kapur një shofer në rajonin e Ferizajt. I njëjti është gjobitur për shkak të tejkalimit në vijë të plotë.
Policia e Kosovës në drejtim të tij ka shqiptuar gjobën prej 150 euro.
“Policia Rajonale e Komunikacionit Rrugor të Ferizajt me automjet civil zyrtar, kanë marr veprimet e nevojshme policore dhe sot kanë ndaluar shoferin i cili me automjetin e tij të udhëtarëve shkaktoi kundërvajtje në komunikacion “Tejkalim në vijë të plotë” në fshatin Bibaj të Ferizajt. Në lidhje me këtë ndaj shoferit u shqiptua një gjobë sipas ligjit të komunikacionit rrugor , 150 euro, 2 pikë negative dhe 3 muaj heqje e patent shoferit”.
E një tjetër shofer ka pësuar si pasojë e mosrespektimit të shpejtësisë. Në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 130 km/h, është identifikuar shoferi duke drejtuar mjetin në 211 km/h.
Ai është gjobitur me 300 euro, tri pikë negative dhe tre muaj ndalim të drejtimit të automjetit.
E përgjatë vitit që lamë pas në Kosovë janë 46 mijë e 492 qytetarë të cilët kanë arritur të pajisen me patentë-shoferë.
Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Infrastrukturës në.
Por në të njëjtën kohë nga aktivitetet e Policisë së Kosovës shumë prej shoferëve pësuan nga gabimet e tyre në trafik.
Duke mos respektuar rregullat, të njëjtit shpesh herë janë gjobitur.
E nga Policia e Kosovës ditë më parë kanë bërë të ditur për lajmi.net se janë rreth 8 mijë shoferë në Kosovë të cilëve iu është konfiskuar patent-shoferi.
“Gjate vitit 2021, gjithsejtë 7485 shoferëve, iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik.”, thuhet në përgjigje.
E nga Policia e Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik.





