Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, ka pritur në një takim të veçantë anëtaret e Komitetit të B.C.E.D. (Balkans For Cooperation and European Development), një organizatë që po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një zë i rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit në rajonin e Ballkanit.
Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe bashkëpunuese, ku u diskutua gjerësisht mbi rolin dhe misionin e B.C.E.D. si një platformë dinamike që synon të promovojë dialog të hapur, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm mbi çështjet kyçe që prekin rajonin. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e adresimit të sfidave të përbashkëta, si dhe ndikimi që zhvillimet në Ballkan kanë në perspektivën më të gjerë evropiane.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të të rinjve në ndërtimin e së ardhmes së rajonit. Palët nënvizuan nevojën për krijimin e më shumë hapësirave dhe platformave ku të rinjtë mund të angazhohen aktivisht, të shkëmbejnë ide dhe të kontribuojnë në procese vendimmarrëse që lidhen me zhvillimin ekonomik, social dhe politik. U theksua se fuqizimi i gjeneratave të reja është kyç për ndërtimin e një rajoni më të qëndrueshëm, të integruar dhe të orientuar drejt vlerave evropiane.
Gjatë bisedës u diskutua gjithashtu edhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet Konsullatës dhe B.C.E.D., përfshirë organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, forumeve dhe iniciativave që do të kontribuonin në thellimin e dialogut rajonal dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Përfaqësuesit e Konsullatës së Përgjithshme vlerësuan lart angazhimin dhe profesionalizmin e anëtareve të Komitetit, duke theksuar se iniciativa të tilla janë të domosdoshme për ndërtimin e urave të mirëbesimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit.
Në përmbyllje të takimit, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë përgëzoi anëtaret e Komitetit të B.C.E.D. për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm dhe vizionin e qartë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal, duke riafirmuar mbështetjen për nisma që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin evropian të rajonit./Alb’swiss TV/





