Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara është pajtuar që të refuzojë kërkesën e Rusisë që të paguajë me rubla për energjinë ruse.
Ministri gjerman i Energjisë, Robert Habeck, u tha sot gazetarëve se “të gjithë ministrat e G7-ës janë pajtuar se pranimi i kësaj kërkese do të ishte shkelje e kontratave ekzistuese”.
Ai tha se pas një takimi online të ministrave të Energjisë të G7-ës, ata u pajtuan që “pagesa me rubla nuk është e pranueshme dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha kompanive të prekura nga kërkesa [e presidentit rus, Vladimir] Putin të mos e zbatojnë atë”.
1Ky njoftim vjen pasi Putin urdhëroi Bankën Qendrore ruse, Qeverinë dhe Gazpromin që deri më 31 mars të prezantojnë propozimet për pagesën e gazit me rubla ruse nga “shtetet jomiqësore”, përfshirë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
Më 23 mars, Putin njoftoi se Rusia do të zbatonte ndryshime dhe do të ndalonte së pranuari pagesa në valutat që “janë kompromentuar”. Ky njoftim do të thotë se shtetet evropiane, që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, përfshirë edhe Britaninë, Kanadanë, Zvicrën, Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë me rubla për gazin natyral rus. /REL/





